E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e “Zërave nga Lart” të Ramës

Me 5 korrik 2005, Edvini ka hyrë në selinë e PS-së me një arsenal sharjesh ndaj Fatos Nanos, duke i kërkuar Ben Blushit ta mbështesë të marrë kreun e partisë. Marrëveshja pati si garant Gramoz Ruçin dhe e detyron Ramën të mbështesë Blushin, në rast se PS nuk vinte në pushtet në 2009
Me 5 korrik 2009 nisi të dalë në publik historia e “zërave nga lart”, të cilat i kanë thënë Ramës të prishë marrëveshjen me një “politikan të dështuar, një gazetar pensionist e një shkrimtar të pashpresë”
Gramoz Ruçi po tenton t’i bashkohet tradhtisë, ndërkohë që Ben Blushi ka detyrimin t’i rrëfejë publikut historitë e pazareve në PS, që i ngjajnë më shumë një partneriteti mafieje, sesa një platforme politike

“Zërat nga lart” që po dëgjon këto kohë Edvini marrin konotacion politik - kanë rrënjën e tyre - në një takim ekskluziv që Edvini ka patur në selinë e PS-së, natën e 5 korrikut të 2005, vetëm dy ditë nga humbja e rëndë e Fatos Nanos në zgjedhjet e përgjithshme. Rreth orës 19 të asaj mbrëmjeje, kur në selinë e socialistëve ende s’e kishin marrë veten nga humbja dhe ende nuk e kapërthenin dot realitetin e opozitës, shkallët e selisë së PS-së i kalon Edi Rama. Kjo ishte një pamje e pazakontë, sepse Edvini deri vonë pat qendruar larg socialistëve, duke u hequr si intelektual, bile edhe duke i përqeshur ata që shkonin pas liderit, por me ndërgjegjen e një hiene, Edvini qe nga të parët që kuptoi se në selinë e socialistëve kish ardhur koha e rotacionit. Në zyrën e Gramoz Ruçit, asokohe (ashtu si edhe sot) sekretar i përgjithshëm i Partisë Socialiste, ishin Ben Blushi, Bashkim Fino, Ylli Bufi dhe disa xhaketa të tjera të vjetra (njëra prej të cilave edhe burimi i posaçëm i gazetës “55”). Edi Rama hyn brenda, thuajse i paftuar, dhe nis ligjëratat politike kundër Fatos Nanos. Ish-servili i kryeministrit në detyrë ulërinte: “ai qen bir qeni, ai bir kurve nuk do kthehet më në seli”, “ai njeri i urryer mos të guxojë të dalë më në publik”, “ai arrogant i korruptuar tani do ta marrë vesh se ç’do t’i punoj”.
Pas qetësimit të Edvinit, në veshjen e “socialistit të dëshpëruar prej humbjes”, bashkëbiseduesit morën vesh edhe qëllimin e vizitës. Edvini i kërkoi Ben Blushit mbështetjen e tij të pakursyer që ai të merrte drejtimin e Partisë Socialiste. “Ka ardhur koha”, përsëriti Edvini frazën që kishte lexuar dikur në një libër të Enver Hoxhës. “Po të ndihmojmë, i thotë Blushi, por ti s’po na thua se ç’do ti garantosh partisë tonë”. “Brenda katër vitesh do të jemi sërish në pushtet, megjithë shkatërrimin që na ka shkaktuar ai i poshtri (fjala ishte për Nanon)”, deklaron Edvini.
Programi i Edi Ramës ngjan interesant, por Ben Blushi, ndërhyn sërish, duke treguar se edhe në ato momente, ai kishte ndërmend të sillej si politikan dhe se ishte fort më i kthjellët se xhaketat e tjera të vjetra, aty në zyrë. “Po marrim parasysh mundësinë teorike, që në 2009, Partia Socialiste nuk vjen dot në pushtet. Atëhere, cila do të jetë kostoja? “Do jap dorëheqjen, padyshim” është përgjigjur shpejt e shpejt Rama. “Jo - ka ndërhyrë Blushi - jo vetëm do japësh dorëheqjen, por edhe do më ndihmosh që të marr kreun e PS-së”. “E kemi marrëveshjen”, ka konfirmuar Edvini, dhe si në një skenë të denjë veç për shpellat e Cosa Nostra-s, burrat e pranishëm kanë kryqëzuar duart sipas parimit besa-besë, ndërkohë që kumbari i marrëveshjes është bërë Gramoz Ruçi.
Historia ka si stacion të dytë, 5 korrikun e vitit 2009, ku me kërkesë të Ben Blushit, është ripërsëritur takimi me Edi Ramën, e ku siç e kërkojnë rregullat (edhe të Cosa Nostras bile), në takim ka qenë edhe “garanti” Gramoz Ruçi. Blushi i ka kujtuar Edvinit marrëveshjen dhe i ka kërkuar atij që të hapë krahun. Në këtë moment kanë dalë mbi ujë “zërat nga lart” që i vijnë Ramës. “Më vijnë zëra, ka deklaruar ai, s’mund të largohem se e kam mision. Bile, më duhet të të kujtoj se s’kam thënë kurrë se s’do të rikandidoj, as pas mundësisë teorike të humbjes, që më përmende para katër vjetëve”. Besëprerja ka qenë një shfaqje e papritur për Blushin, i cili ka kërkuar ndihmën e “garantit”. Gramoz Ruçi i ka kujtuar Ramës se para katër vjetësh, angazhimi i tij kishte qenë për t’u larguar, por përderisa “ti je ende kryetar në detyrë, ke të drejtë të kesh axhendën tënde”.
Pas besëprerjes, Blushi ka dalë në publik e ka nisur të vërë në zbatim axhendën e vet konkurruese, por kjo s’e ka penguar Ramën që si qershia mbi tortë, ta shoqërojë besëprerjen me një fushatë të ethshme denigrimi. Jemi në fazën kur tavolinat e bisedave mbushen me shprehjet tipike “se s’mund të jetë kryetar një politikan i dështuar, një gazetar pensionist e një shkrimtar i pashpresë”. Telefonatat nëpër rrethe, që nëpër deklarata të spikasin sulmet ndaj Ben Blushit, si një njeri joluajal ndaj kryetarit, por edhe telefonatat ndaj rrogtarëve të tij nëpër gazeta që sulmet të vijnë kryesisht nga karakteri personal, pritet ta kenë apogjeun pak më vonë.
Për momentin është e qartë besëprerja e Edvinit, por ka ende kohë veç për garantin Gramoz Ruçi që të shpëtojë fytyrën e vet. Zaten, ai s’e ka për herë të parë këtë dyzim, dhe i ka ndodhur edhe më herët, në kohërat e përballjeve të forta mes Nanos e Majkos në fillim e mes Nanos e Metës më vonë. Kongresi do edhe disa ditë që të mbahet, por tashmë është kuptuar se historia e “zërave nga lart” u dekonspirua për publikun, veç pas takimit të 5 korrikut të 2009, kur Rama e shpalli PS-në pronë private, duke turpëruar edhe kumbarin e tij në PS. Edvini është përkujdesur të thotë në autointervistën për gazetën e Koço Kokëdhimës se ishte Gramozi që i kishte kërkuar të rikandidonte. Deklarata është një mesazh i qartë se e ka futur në thes edhe garantin e marrëveshjes Rama-Blushi e se tashmë kongresi s’mund të ishte një betejë me sfond moral. Njëra palë dhe garanti kanë vendosur të mos e respektojnë marrëveshjen.
Atëhere mbetet që pala tjetër ta denoncojë atë, sado të ngjajë si një dekonspirim i pazareve të stilit të mafias. Edhe sikur t’i duhet të marrë statusin e të penduarit, Ben Blushi ka detyrimin para opinionit publik të tregojë kumbarët e marrëveshjes së re mes Ramës dhe Ruçit. Sado i përfshirë të jetë ai e shpura e mbështetësve të tij, ai duhet t’i rrëfejë publikut origjinën e zërave nga lart, që po e shtyjnë Edvinin me arrogancë të mbajë peng opozitën shqiptare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›