Britani, Kameron e Kleg nisin negociatat për qeverinë
Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve në Britani konfirmojnë se as konservatorët, të cilët kryesojnë, dhe as laburistët nuk mund të formojnë Qeverinë e re. Konservatorët kanë fituar 306 vende në Parlament, laburistët 258, ndërsa liberaldemokratët 57. Kreu i konservatorëve, David Kameron, i cili duke pasur rezultatin më të madh të votave rezervon të drejtën për të kërkuar krijimin e koalicionit i pari, i ka drejtuar dorën liberalademokratëve për të krijuar një marrëveshje mbi formimin e një Qeverie “të fortë dhe të qëndrueshme”, që mund të “sigurojë tregjet ndërkombëtare”. Negociatat zyrtare nisën dje në mbrëmje dhe faza e parë e kontaktit u bë me anë të telefonit. Për herë të parë që nga viti 1974, Britania ka një Parlament të varur (hung Parliament), ku asnjë nga tre partitë kryesore nuk ka maxhorancën absolute të votave. Konservatorët kanë 306 vende në “Westminster”, 96 më shumë se zgjedhjet e 2005 dhe 20 më pak nga numri i duhur i votave për të formuar maxhorancën e pavarur. Laburistët, edhe sikur të bashkohen me liberaldemokratët e Nik Kleg, të cilët kanë mundur të marrin vetëm 57 ulëse në Parlament, ata nuk mund të kenë sigurinë për të qeverisur. Sipas analistëve në një situatë të varur si kjo, Gordon Braun që është Kryeministri aktual do të tentojë të krijojë terrenin për të formuar sërish një maxhorancë. Por hipoteza më e madhe është ajo e koalicionit mes konservatorëve dhe liberaldemokratëve. David Kameron tha se është shumë e qartë se në Britani nevojitet një ndryshim dhe kërkohet një drejtues i ri. Konservatorët folën për “një fitore bindëse për ta dhe një jo të qartë për laburistët. Me këtë rezultat mund të qeverisim”, tha ai. Nga ana tjetër, Nik Kleg i cili ishte surpriza e debateve televizive nuk fitoi aq sa kishte pretenduar për liberaldemokratët, që t’i kthente ata në një forcë të dytë politike. “Ishte një mbrëmje zhgënjyese, pas një fushate plot me optimizëm dhe shpresë”, tha ai.
Vendet në Parlament
Konservatorët
306 vende
36,1 për qind
Laburistët
258 vende
29.1 për qind
Liberaldemokratët
57 vende
23 për qind
Partitë e tjera
28 vend
11,8 për qind