U kapën me 110 kg hashash, në arrest vëllezërit
TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda vendosi dje masën e sigurisë “arrest me burg” për dy vëllezër të arrestuar pak ditë më parë, të akuzuar për trafikun e 109.6 kg hashash. Sipas vendimit të gjykatës, vëllezërit Gjin dhe Ardian Marku, të arrestuar nga operacioni “Jaguari”, do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve ndaj tyre. Vëllezërit Marku u paraqitën dje tek Krimet e Rënda për caktimin e masës së sigurisë. Burime pranë gjykatë bënë të ditur se të pandehurit nuk shfaqën pretendime në sallën e gjyqit. Ndërsa mbrojtësi i tyre ligjor kërkoi një masë me të lehtë se ajo e “arrestit me burg” kundrejt një garancie pasurore, masën e të cilës do ta vendoste gjykata. Mësohet se pasi është njohur me pretendimet e palëve, gjykata caktoi lënien në qeli të dy vëllezërve. Gjin dhe Ardian Marku u arrestuan të mërkurën në rrugën nacionale Fier-Vlorë, në vendin e quajtur “Qafa e Koshovicës”, teksa po udhëtonin në nja automjet tip “Audi A3”. Sipas policisë, nga kontrolli në bagazhin e automjetit u gjet dhe më pas sekuestrua një sasi prej 109.6 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa. ar.ba