E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahet dosja “Kompas”, “shpëton” Arjan Selimi



TIRANE – Gjykata e Lartë copëton dosjen “Kompas”, Arjan Selimi drejt pafajësisë. Vendimi është marrë mesditën e djeshme nga një kolegj penal i Gjykatës së Lartë, i cili ka vendosur të rikthente te Krimet e Rënda për rigjykim Arjan Selimin, të dënuarin si kreu i kësaj çështjeje, i njohur si biznesmen në Tiranë deri në vitin 2004. Po kështu të njëjtin fat si Selimi e ka pasur edhe i bashkëpandehuri me të, Arjan Shabani, i vetmi nga tetë të akuzuarit e kësaj dosjeje, që nuk është vënë në prangat e policisë. Kurse për gjashtë të pandehurit e tjerë Gjykata e Lartë la në fuqi vendimet që ishin marrë më parë nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe Apeli. Gjatë seancës së djeshme Kolegji Penal pohoi se, nga shqyrtimi gjyqësor në dy Shkallët e Para nuk ishte arritur të vërtetohej se Arjan Selimi, i cili njihet edhe me emrin Armando Andoni, të kishte lidhje me të bashkakuzuarit e tjerë. Po kështu e njëjta gjë ishte vërtetuar edhe për Shabanin. Gjykata e Lartë mori në shqyrtim edhe ankimin e paraqitur nga Selimi, i cili pretendon pafajësinë. Kolegji penal argumentoi se Krimet e Rënda dhe Apeli kishin rrëzuar përgjimet telefonike, të cilat konsideroheshin si provë prej prokurorisë, për të bërë lidhjen e të pandehurve mes njëri-tjetrit. Nisur nga ky fakt gjykata pohoi se krejt procedimi për Selimin dhe Shabanin ishte kryer nga prokuroria pa pasur bazë ligjore, ndërkohë që në të njëjtën mënyrë ishin pranuar dokumentet e dërguara në Tiranë nga Prokuroria italiane. Vetë Selimi, i cili është një nga të pandehurit që ende ndodhet në qeli, dy vjet më parë u fut në grevë urie në burg, duke kërkuar gjykimin e çështjes së tij. Në janar të vitit 2008 Krimet e Rënda vendosën të dënonin me 5.5 dhe 6 vjet burg dy fierakët Muhamet e Blenard Fejzulla, at e bir, 6.5 vjet burg Fatmir Kuçin, 16 vjet burg Arjan Selimin, 10 vjet burg Petraq Avramin, 15 vjet burg Kujtim Popoçin, si dhe 16 vjet burg Arjan Shabanin. Po kështu, kjo gjykatë i dha pafajësi të akuzuarit Dritan Kuçi, duke urdhëruar heqjen e masës së sigurisë në ngarkim të tij. Katër muaj më vonë Apeli la në fuqi këtë vendim për Muhamet e Blenard Fejzulla, Fatmir Kuçin, Dritan Kuçin e Petraq Avramin. Kurse Arjan Selimit, Kujtim Popoçit dhe Arjan Shabanit u uli dënimet, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë Gjykatës së Lartë për të dërguar drejt pafajësisë Selimin. fa.ma.

Dënimet e lëna në fuqi

Muhamet Fejzulla, 5.5 vjet
Blenard Fejzulla, 6 vjet
Fatmir Kuçi, 6.5 vjet
Petraq Avrami, 10vjet
Kujtim Popoçi 13 vjet
Dritan Kuçi, pafajësi

Kthehen te Krimet e Rënda
Arjan Selimi
Arjan Shabani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›