Ngrihen akuzat kundër Limajt, rrezikon 55 vjet burg
EULEX-i ka publikuar emrat e personave që do të përndiqen penalisht, pas bastisjes që bënë në Ministrinë e Transportit, dhe janë Fatmir Limaj dhe Nexhat Krasniqi. Ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit, Limaj akuzohet zyrtarisht për pastrim parash, krim të organizuar, shpërdorim i detyrës zyrtare, mashtrim në zyrë dhe ryshfet. Në total për këto vepra, bazuar në ligjet e Kosovës, kërkojnë 55 vjet burgim. Akuzat përfshijnë edhe bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë, Krasniqin. Deklarata u bë nga kryeprokurori holandez i EULEX-it, Johannes van Vreesvjk pas publikimit të qëndrimit kritik ndaj punës së tyre të dy zyrtarëve të Kosovës. Vreesvijk, ka pranuar se është zemëruar nga komentet e Kryeministrit Hashim Thaçi dhe të kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi, për hetimet e EULEX-it mbi “rastin Limaj”. Në një intervistë për gazetën “Koha Ditore”, ai ka garantuar zyrtarët dhe qytetarët kosovarë se EULEX-i ka fakte për këtë rast dhe se po heton edhe në gjashtë raste të tjera të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Ai u bënë thirrje të gjithë zyrtarëve në Kosovë, që kanë qenë ose janë të lidhur me krimin e organizuar, “që të fillojnë të djersiten”. Sipas tij, Kryeministri dhe çdo ministër duhet të ndihen rehat, sepse EULEX-i nuk do t`u përzihet në punët e zyrave të tyre, nëse nuk ka diçka të jashtëligjshme. “Por kur ka shkelje ligji, mos të mendojnë se ne do të trokasim në dyer dhe t`i pyesim se a bën të hetojmë”, tha Vreesvijk. Kryeprokurori tha se të dyshuarit që po hetohen nga EULEX-i janë të profileve të larta dhe nuk janë vetëm zyrtarë nga PDK-ja.