Diktatori cinik: S’dal dot në dritare, se shpërthejnë “Enver, Enver... ”
afrim imaj
“Cinizmi i Enver Hoxhës nuk kishte kufi, sidomos kur binte fjala për kultin e individit”
Në pjesën e dorëshkrimit të Bedri Spahiut ku përshkruhen cilësitë dhe veset e diktatorit, zënë një vend të veçantë kujtimet për mënyrën se si Enver Hoxha kultivonte delirin e madhështisë dhe kultin e individit. “Në një mbledhje të KQ-së, aty nga mesi i viteve ‘50, shkruan ish- Prokurori i Përgjithshëm, teksa diskutonim në frymën e partive të tjera për kultin e individit, u çua Enveri me pamje të vrenjtur. është bërë një gjendje e padurueshme, u shpreh ai, nuk guxoj të dal në dritare, se njerëzit shpërthejnë furishëm ‘Enver, Enver’. Sakaq, njeriu që është njohur me diktatorin qysh në fëmijëri rreshton një mori tiparesh që zbërthejnë karakterin e dyzuar të tij, duke iu referuar momenteve të veçanta historike, si themelimi i Partisë, Plenumi i Beratit, dënimi i Koci Xoxes e deri te zhdukja fizike, siç e vlerëson Spahiu mjekimin në Francë të Hysni Kapos....
Kulti i Enverit
Në 1953 kthehesha nga Kongreset e Partive Komuniste të një sërë vendesh të demokracive popullore. Në raportin që i bëra Komitetit Qendror me këtë rast i shkruaja: “Këta popuj nuk janë ata që përshkruhen nga shokët tanë në qetësinë e vilave e në freskinë e parqeve të bllokut tonë”. Në fund të raportit kam bërë këtë shënim me penë me dorën time: “Në Kongresin e Partisë Komuniste të Hungarisë e çekosllovakisë u shtrua çështja e kultit të individit. Besoj se ka ardhur koha të ngrihet kjo çështje edhe në partinë tonë.” Në plenumin që pasoi Enver Hoxha doli me tezën e revizionizmit të kultit të individit dhe e filloi raportin e tij kështu: “U krijua një gjendje e padurueshme në Partinë sonë, mjafton që të shfaqem në penxhere, apo në ndonjë tribunë dhe masat shpërthejnë në brohoritje të furishme ‘Enver, Enver’. U kamë thënë shokëve se duhet të marrë fund kjo praktikë, por ata kanë pas menduar se unë e ngrija çështjen duke u nisur nga konsiderata personale. “është e thjeshtë, shoku Enver mendonin ata, prandaj e ngrini këtë çështje dhe vazhdonin t’i linin punët ashtu siç qenë. Jo, Enver Hoxha nuk nisej nga konsiderata individuale, siç kujtonin shokët e Byrosë, por nga konsiderata e kërkesave teorike të vetë jetës së Partisë”. Pasi mbaroi kjo hyrje e shkurtër ngrihet Hysni Kapo dhe thotë: “është e vërtetë që shoku Enver na ka këshilluar përherë dhe ne kemi kujtuar ashtu siç e shpjegoi ai”. E vërteta qe krejt ndryshe, që Enver Hoxha as kurrë, as në Byro e as veças nuk ka folur kurrë për kultin e tij, madje as kishte si të fliste, sepse vetë nocioni i kultit të personit ishte i panjohur për atë kohë. Që të gënjente Enver Hoxha ishte e natyrshme për mua. Sepse ai ishte antiteza e ndershmërisë, por që të shndërrohej Hysni Kapo si dëshmitar i Enverit, kjo as që më shkonte ndërmend. Megjithatë unë nuk e nxora nga zemra Hysni Kapon, sepse kishte qenë një bashkëpunëtori im në të gjitha peripecitë e luftës së zonës së parë dhe zëvendëskomisar politik i kësaj zone. “Nuk shitet kali pse pengohet për të parën herë”. Asnjë nga anëtarët ë Byrosë që ishin prezentë nuk e aprovoi dëshminë e Hysni Kapos, por asnjë, dhe unë bashkë me ta nuk e kundërshtuam atë. Pra, në realitet ne me heshtjen tonë aprovuam gënjeshtrën e Hoxhës e Kapos. I vumë vulën atij mashtrimi që do të kishte konseguenca katastrofike në vendin tonë. Por kur Hysni Kapo konkludoi në një artikull të tij “Na quajnë stalinistë dhe kujtojnë se me këtë cilësi na degjenerojnë, përkundrazi ne e kemi për nder të na quajnë të tillë”, atëherë pas kësaj deklarate të ulët e të turpshme figura e Hysni Kapos u zbeh në sytë e mi. Ai vdiq për mua si komunist e si burrë shteti. Themi se është dërguar jashtë jo për t’u shëruar, por për të lehtësuar zhdukjen e tij fizike. Sado i pavërtetuar të jetë ky lajm, unë kam arsyet e mia ta besoj, sepse Hysni Kapo ishte një nga anëtarët e grupit të të rinjve. Enver Hoxha nuk i duronte dot kundërshtarët e rinj apo të vjetër. Për Enver Hoxhën asnjë defekt i vjetër nuk quhej i mbyllur, asnjë armiqësi e shkuar nuk mund të konkludonte në pajtim të kundërshtarëve, ose në asgjësimin e tyre fizik. Faktet tregojnë se Enver Hoxha ishte diktatori më i urryer e më shtypës, ishte organizues i sistemeve të goditjes me zona, me grupe shoqërore etj. Unë nuk mund t’i atribuoj veç se cilësitë më negative që ka pasur ndonjëherë figura më diktatoriale, më e ulët e më intriguese e regjimeve diktatoriale e të gjitha kohëve të këtij vendi. Askush veç logjikës satanike të këtij udhëheqësi nuk do të mund të ideonte atë politikë që ndoqi sistemi ynë kundra gjithë botës. Askush nuk do të mund të bënte atë që bëri Enver Hoxha që të deklarohej e të paraqitej si armik i rrethuar, i izoluar, duke qenë ai vetë subjekti i këtij izolimi.
Në raportin e Byrosë Politike të Plenumit të 9 Enver Hoxha deklaroi:
1. “është e vërtetë se në Berat Liri Gegën e dënuam më shumë nga ç’e meritonte, por ajo me veprimtarinë që zhvilloi më vonë provoi se e kishte të merituar dënimin që i dhamë ne”.
2. “Thuhet se Kristo Themelkua ka vrarë shumë veta me rastin e çlirimit të Tiranës, por çështje e rëndësishme është se të gjithë ata që u vranë nga ai ishin armiq”.
Në qershorin e 1955 Enver Hoxha konkludoi se “është e vërtetë se ne nuk kemi sot prova për një dënim kaq të rëndë të Bedri Spahiut, por Partia me siguri do të na i japë këto prova”. Ishte kjo një tentativë degjenerimi të plotë të Zeusit të drejtësisë, një sfidë kundër tërë mendimit juridik të popullit.
Revizionimi i Plenumit të Beratit
Revizionimi i Beratit qe një tentativë e Enver Hoxhës për të nxjerrë veten e tij nga bataku ku e futi plenumi në fjalë. Aty Enver Hoxha përpiqet t’i shpëtojë rezistencës që ky plenum i bëri punës negative të luftës së tij. Atje u tha se Enver Hoxha gjatë gjithë Luftës NçL ka qenë oportunist e sektar dhe u sollën mjaft shembuj. Sejfulla Malëshova tha se Partia jonë ishte duke u shndërruar në një parti terroriste, parti partizanësh. Nako Spiro tha se ne në Tiranë mblidheshim me krerët e Ballit dhe bënim ‘çu-çu’ me ta, kurse organizata e Gjirokastrës i thërriste ballistët në mes të popullit e i ballafaqonte mendimet e saj para njerëzve. Ne nuk ditëm të përfitonim nga kjo eksperiencë e çmuar e shokëve të Gjirokastrës. Stojniçi, përfaqësuesi i PK Jugosllave, tha se ne, pasi e kishim bërë kompromisin në Mukje, u kthyem të bëjmë një veprim të rrezikshëm sektar, duke refuzuar marrëveshjen me Ballin Kombëtar. Në Berat u futëm në udhëheqjen e Byrosë Politike Tuku dhe unë. Por në plenumin e revizionimit të Plenumit të Beratit, Tuk Jakova, anëtar i Byrosë Politike, nuk ishte. Përse ky plenum revizionimi u mbajt kur mungonte Tuku, kur ky anëtar Byroje ishte dërguar në UNç. Në këtë plenum revizionimi Enver Hoxha deklaron: “ç’është e vërteta, unë nuk isha për futjen e Tukut e të Bedriut në Byro. Përse e deklaron këtë Enver Hoxha pikërisht në çastin kur bën revizionimin e Beratit. Sepse dyshonte se në të vërtetë mund ta deklaronin në diskutimin e çështjes Koci, Nako ose dhe Pandi Kristua e kjo do të binte si bombë për Tukun dhe mua, do të shërbente si pikë në disfavor të tezave të Enver Hoxhës, që edhe pa to, kishte humbur mjaft. Kjo ndërmarrje e tij dështoi, ai e mori në mënyrë demonstrative raportin që kishte bërë dhe e arkivoi duke deklaruar: “Ju nuk e aprovuat, por koha do të vërtetojë vërtetësinë e këtij revizionimi”. Por koha vërtetoi katërcipërisht djallëzinë e tij, intrigën dhe qëllimet e mbrapshta. Ky revizionim na futi me shokët jugosllavë, që vazhdon sot e gjithë ditën me vëllezërit tanë fqinjë në veri e lindje të truallit tonë, na çoi në atë kongres të parë, që i dha flakë vendit kundra trockizmit dhe që dënoi Koci Xoxen si tradhtar të popullit e të Partisë, një luftëtar i orës së parë ky, që i dha komunizmit e kauzës së popullit tonë aq sa mundi. (Me emrin e tij është emëruar një nga rrugët më të bukura të Beogradit, aq sa di unë, kurse ne e vramë sipas stilit të Enver Hoxhës, duke i mohuar edhe të drejtën njerëzore të varrimit në truallin arbëror). Unë nuk kam besuar kurrë se zyrtarët shqiptarë do të mund të merreshin vesh me jugosllavët deri sa të mos zgjidhej çështja e Koci Xoxes dhe e revizionimit të Beratit, pa pranuar haptazi se Berati ishte akti më pozitiv i lëvizjes komuniste në Shqipëri, se asnjë revizionim i Plenumit të Beratit nuk i shërbente çështjes së popujve tanë.
vijon nesër...