Parlamenti gjerman:OK paketa për Greqinë
Parlamenti gjerman miratoi dje paketën e ndihmës financiare për Greqinë. Me 391 vota pro, 72 kundër dhe 143 abstenime, Gjermania vendosi të japë shumën 22,4 miliardë euro për të shpëtuar Greqinë nga rrënimi, por edhe eurozonën. Ministri gjerman i Financave, Volfgang Shaubëll (CDU) u apeloi deputetëve që të votonin për pakon e ndihmës ndaj Greqisë, për të ruajtur qëndrueshmërinë e Euros dhe të bashkësisë monetare të Evropës. “Një përvojë të ngjashme me një situatë të tillë, me një vend anëtar të bashkësisë monetare, nuk e kemi pasur më parë. Prandaj duhet ta përballojmë këtë krizë me ato instrumente dhe marrëveshje që kemi në dispozicion”, tha ai, duke shtuar se “tani nuk ka mbetur asnjë alternativë tjetër më e mirë. Do të ishte rrënuese nëse do të lejonim që një vend anëtar i BE-së dhe eurozonës, siç është Greqia, të mos kishte mundësi për të paguar”. Ndërkohë të premten, tregjet financiare evropiane kanë shënuar një rënie më të madhe se 4 për qind. Edhe vlera e aksioneve në bursën amerikane pësoi ulje.