E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD: Të emërohen 14 gjyqtarë Apeli



Fatos Mahmutaj

KLD-ja i shton 14 emra të rinj Gjykatave të Apelit në kryeqytet, Durrës dhe Vlorë. Emrat janë përzgjedhur dje nga një listë me 152 emra togash të zeza, të cilët kishin paraqitur në KLD kërkesat për ngritje në detyrë dhe transferime nga Gjykata të Apeleve të distrikteve të tjera. Me anë të një njoftimi zyrtar KLD-ja pohoi dje se, me anë të një njoftimi të hapur, kishte plotësuar vendet vakante të shpallura në Gjykatat e Apelit Tiranë, Durrës e Vlorë. Kështu, sipas Këshillit në Apelin e kryeqytetit, nga 87 kandidaturat e shqyrtuara, u vendos që t’i propozohen Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për dekretim pranë kësaj gjykate, gjyqtarët kryeqytetas Ridvan Hado e Artan Broci si dhe Astrit Haxhialushi, Genti Shala e Gramoz Levanaj. Gjyqtarët Broci dhe Hado, të cilët ushtrojnë detyrën në kryeqytet prej shumë vitesh njihen si gjyqtarët më të mirë, që kanë shqyrtuar mjaft dosje të rëndësishme. Artan Broci është vëllai i heroit të demokracisë Arben Broci. Po kështu në tri vendet e tjera vakante u vendos të transferohen në ushtrimin e detyrës së gjyqtarit pranë kësaj gjykate tre gjyqtarët e Apelit: Edlira Petri, Shkëlqim Miri dhe Valdete Hoxha. Kurse në Apelin e Durrësit, nga 43 kandidaturat e shqyrtuara, Këshilli vendosi t’i propozojë Presidentit Topi për dekretim, në ushtrimin e detyrës së gjyqtarit pranë kësaj gjykate, gjykatësin Kliton Spahiu. Gjithashtu në këtë gjykatë u transferuan edhe dy gjykatësit e Shkallës së Dytë, Izet Dushaj, dhe Petraq Dhimitri. Ndërsa në Apelin e Vlorës nga 22 kandidaturat e shqyrtuara, Këshilli vendosi t’i propozojë Presidentit Topi për dekretim pranë kësaj gjykate, kandidaturat e gjyqtarëve: Andi Civici, Hysen Saliko dhe Skënder Damini. Gjithashtu, gjatë mbledhjes së djeshme Këshilli vendosi të transferojë në Gjykatën e Apelit Shkodër, gjyqtarin Musa Halili, ndërsa në Apelin Gjirokastër, gjyqtarin Ylli Minka. Të dy këta gjyqtarë, për efekt të suprimimit nga ligji të Gjykatës së Apelit Ushtarak, ishin në pritje të risistemimit të tyre pranë gjykatave. Në fund të mbledhjes së djeshme KLD-ja pohon se në vlerësim të vendimmarrjes së mësipërme dhe në përputhje me dekretin e Presidentit të Republikës “Për caktimin e numrit të gjyqtarëve për çdo Gjykatë të Shkallës së Parë e Apelit”, Këshilli përcaktoi vendet që shpallen vakante në disa gjykata, për shkak të lëvizjeve brenda sistemit të gjyqtarëve. Ndërkohë, burime nga mbledhja pohuan se gjyqtari i Elbasanit dhe njëkohësisht anëtari i KLD-së, Artan Gjermeni, i cili kishte paraqitur kandidaturën për Apelin e Tiranës, mëngjesin e djeshëm deklaroi tërheqjen nga gara. Kurse kolegu i tij në KLD, Shkëlqim Miri, i cili deri dje ka kryer detyrën e gjyqtarit të Apelit në Durrës, nuk u tërhoq nga gara për transferim në Tiranë. Madje pas shqyrtimit të kandidaturës së tij, kolegët anëtarë në KLD vendosën t’ia pranonin kërkesën. Dy javë më parë, gjatë mbledhjes së parafundit të KLD-së, ministri Nishani propozoi se për shkak të konfliktit të interesit, Miri dhe Gjermeni duhet të mos merrnin pjesë në mbledhje. Tashmë pritet që sipas ligjit, kreu i shtetit të dekretojë emërimet e bëra nga KLD.

Emërimet e KLD

Apeli Tiranë
Kandidatë 87
Emërohen
Ridvan Hado
Artan Broci
Astrit Haxhialushi
Genti Shala
Gramoz Levanaj
Transferohen
Edlira Petri
Shkëlqim Miri
Valdete Hoxha

Apeli Durrës
Kandidatë 43
Emërohet
Kliton Spahiu
Transferohen
Izet Dushaj
Petraq Dhimitri

Apeli Vlorë
Kandidatë 22
Emërohen
Andi Civici
Hysen Saliko
Skënder Damini

Apeli Shkodër
Transferohet
Musa Halili

Apeli Gjirokastër
Transferohet
Ylli Minka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›