Lidhin duart e sytë e shitëses, “klientët”, marrin 2.5 kg flori
FIER - Hyjnë si klientë dhe grabisin 2.5 kilogram flori. Ngjarja ka ndodhur në Fier dy ditë më parë, ku shitëses së një dyqani i janë lidhur duart dhe sytë e më pas i është grabitur sasia e madhe e metalit të çmuar. Burime zyrtare nga Policia e Fierit, kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur në orët e mesditës kur në dyqan nuk ka pasur klientë. Grabitja ka ndodhur në lagjen “Apolonia”. Policia tha se, pronari i dyqanit të grabitur është qytetari me inicialet Ll. D, dhe tregtoheshin konfeksione e bizhuteri të ndryshme. Gjatë një komunikimi me median, policia ka bërë të ditur se, nga hetimet dhe dëshmitë e para është zbardhur skema e grabitjes e përdorur nga dy të rinjtë, që kanë qenë pa maska. Sipas të dhënave rreth mesditës, në ambientet e këtij dyqani kanë hyrë dy të rinj të paidentifikuar të cilët kanë kërkuar të blinin një palë pantallona. Gjatë kohës që shitësja e këtij dyqani po i shërbente njërit prej klientëve, shoqëruesi tjetër e ka kërcënuar atë duke i lidhur gojën dhe sytë me ngjitës natriban dhe në të njëjtën kohë është ndihmuar dhe nga “klienti” tjetër, i cili i ka lidhur duart. Të dy këta persona pasi kanë marrë sasinë e bizhuterive të floririt, gjithsej një sasi prej 2.5 kilogram dhe janë larguar menjëherë prej vendit të ngjarjes. Shitësja e dyqanit ashtu e lidhur ka mundur të njoftojë për ngjarjen e ndodhur dhe në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie. Pak kohë më vonë, një tjetër grabitje ndodhi në Fier, po në një dyqan floriri. Ngjarja ndodhi në orën 16:00, në rrugën “Konferenca e Pezës”. Dyqani është në pronësi të qytetarit me inicialet I. K. Aty është marrë një sasi floriri me vlerë prej 20 milionë lekësh.
14 Maj 2010