Britani, vazhdon procesi ndaj shqiptarëve që vranë biznesmenin
Gjykata arriti në përfundimin se viktima e bandës shqiptare ishte krejtësisht i pafajshëm
Vazhdon procesi gjyqësor në Britani në ngarkim të 4 shqiptarëve të akuzuar për vrasjen e një biznesmeni në Angli. Një gjykatë britanike ka dëgjuar dëshmi të reja në lidhje me këtë çështje. Gjykata arriti në përfundimin se viktima e bandës shqiptare ishte krejtësisht i pafajshëm në atë sulm të dhunshëm të prillit 2004. Katër shqiptarët fajtorë janë Marjan Semaj, Artan dhe Emirjan Hysaj dhe Alfred Kurti. Ata qëlluan për vdekje me shkopinj babanë e 2 fëmijëve derisa ai gjeti vdekjen nga plagët e marra 16 ditë më pas në spital. Nga këta persona është në burg Marjan Semaj 22 vjeç, i cili në fakt është dënuar me burg të përjetshëm për një tjetër vrasje në vitin 2005, pasi gjyqi për vrasjen e biznesmenit nuk ka përfunduar ende. Alfred Kurti është ende në arrati, ndërsa Artan dhe Emirjan Hysaj tashmë janë në gjyq. Dy vëllezërit mohojnë vrasjen e qëllimshme, ata kanë pranuar fajin për dhunë ndaj viktimës.
Ngjarja
Natën kur ndodhi vrasja viktima udhëtonte me 4 britanikë të bardhë në një rrugë në Mançester. Katër britanikët hynë në një festë ku ndodheshin dhe shqiptarët, të cilët, pasi kanë dalë, kanë ofenduar viktimën pse u shoqërua me britanikët e bardhë. Pra, për shkak të rivalitetit mes dy bandave, u sakrifikua Bob Singh. Shqiptarët morën hak ndaj viktimës teksa ai u fut në një supermarket për të marrë ushqim për shokët e tij të bardhë duke e rrahur për vdekje. Në gjyq u tha se viktima nuk u bëri asnjë rezistencë shqiptarëve, të cilët e rrahën për vdekje me shkopinj. Kjo ngjarje ka theksuar brutalitetin e bandave shqiptare në Britaninë e Madhe.
Rreziku i “bandave” shqiptare
Kohët e fundit Policia Britanike ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me rritjen e kriminalitet nga bandat e përbëra nga shqiptarët. Sipas tyre, këto grupe tashmë janë fuqizuar ndjeshëm dhe përbëjnë një rrezik serioz për Anglinë. Kryesisht këto grupe kriminale e shtrinë veprimtarinë e tyre kriminale në vjedhje, vrasje dhe trafik droge. Rasti më i fundit i arrestimit të shqiptarëve të përfshirë në aktivitet kriminal ishte ai i dhjetorit të kaluar, ku u arrestuan 13 shqiptarë, të cilët ishin të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge. Gjatë këtij aksioni u bllokua një sasi prej 1.5 tonësh drogë në një anije, e cila ishte ankoruar rreth 200 milje larg bregut spanjoll.
Trafikonte klandestinë me pasaportën e nuses së djalit, pranga 63-vjeçarit
GJIROKASTËR - Përdorte pasaportën e nuses së djalit të tij për të kaluar klandestin në Greqi, arrestohet 63-vjeçari Dhimitër Gazeli. Forcat e Policisë së Gjirokastrës e kanë arrestuar atë në flagrancë, teksa së bashku me një vajzë 19-vjeçare donte të kalonte kufirin për ta çuar atë tek i fejuari. Mësohet se Gazeli është paraqitur në pikën kufitare të Kakavijës, pranë sportelit të përpunimit të dokumenteve në dalje për në Greqi, por ekspertët kanë kërkuar që t’i bëjnë një verifikim më të specializuar, pasi dispononin informacion se ky person donte ta kalonte në mënyrë të paligjshme për në shtetin grek këtë vajzë. Nga verifikimi rezultoi se ai vërtet donte ta kalonte 19-vjeçaren me anë të pasaportës së nuses së djalit të tij në ngjashmëri, kundrejt vlerës 2600 euro, duke udhëtuar me automjetin e tij tip “Benz” me targa FR 74 21 B. Në përfundim të veprimeve të para hetimore është bërë dokumentimi me prova ligjore i veprës penale, si dhe është sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjeti dhe pasaporta që do shërbente për të kaluar vajza e re drejt tokës greke. Ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme për veprën penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit”, parashikuar nga Neni 298/2 i Kodit Penal.
3 Shkurt 2010