Qeveria japoneze jep ndihma për urgjencat shqiptare
Nënshkruhet marrëveshja grant ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), për projektin “Përmirësimi i pajisjeve mjekësore të qendrave rajonale të urgjencës”. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili,
projekti do të shtrihet në 14 rrethe të vendit dhe do të implementohet në harkun kohor të 12 muajve. Financimi grant kap shifrën 718 milion Yen japonez, (5.5 milion euro) ndërsa pala shqiptare do të mbulojë kostot lokale të këtij projekti. Marrëveshja përputhet plotësisht me strategjinë e sistemit shëndetësor dhe atë të urgjencës në veçanti dhe ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimit të urgjencës për popullatën. Nga ky projekt përfitojnë 14 qendra urgjence në spitalet rajonale të vendit e konkretisht në qytetet Lezhë, Kukës, Dibër, Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, spitalet e qyteteve Lushnjë dhe Sarandë si dhe qendrat e urgjencës në Shërbimin e Pediatrisë në QSUT dhe Urgjencën e Tiranës. Qeveria japoneze, me këto projekte ka mbështetur shëndetësinë shqiptare me qellim përmirësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimit shëndetësor në përgjithësi si dhe uljen e nivelit të vdekshmërisë. Instalimi dhe vënia në funksion të plotë e pajisjeve, do të përfundojë brenda vitit.
Spitalet refuzojnë qytetarët të japin gjak me pagesë
Në bankat e gjakut të Qendrës Universitare Nën Tereza nuk pranohet asnjë qytetar që të dhurojë gjak kundrejt një pagese të caktuar. Megjithë situatën e krijuar së fundi për mungesa të theksuara të qeseve me gjak, sërish spitalet refuzojnë rastet kur kërkohet pagesa. Jo më larg se dje, një burrë rreth të 50-ave, u drejtua në bankat e gjakut për të dhënë gjak. Megjithë “ofertën” e tij, punonjësit që janë posaçërisht për këtë punë refuzuan. Qytetari u shpreh dje për gazetën “Albania” se është e disata herë që vjen, por drejtoresha nuk e ka pranuar duke i thënë se gjaku dhurohet vullnetarisht.
3 Shkurt 2010