E Diel, 1 Nëntor 2026

Shfrytëzoi dy femra, arrestohet tutori

Prangoset një person i shumëkërkuar për shfrytëzim femrash për qëllime prostitucioni në dy hotelet në periferi të kryeqytetit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se është arrestuar Përparim Kaçi, 41 vjeç, banues në fshatin Domje, Tiranë, nën akuzën e kryerjes së veprës penale “trafikim i femrave për qëllime shfrytëzimi prostitucioni”. Sipas policisë, arrestimi i këtij personi është bërë pasi akuzohet se ka shfrytëzuar në mënyrë sistematike për prostitucion në qytetin e Tiranës, në hotele të ndryshme, dy shtetase, përkatësisht E. S., 18 vjeçe dhe M. M., 22 vjeçe dhe më pas ka tentuar t’i trafikojë ato në drejtim të Kosovës për t’i shfrytëzuar sërish për prostitucion. Për arrestimin e tij u organizua operacioni i koduar me emrin “Tërthorja”. Ky shtetas është kapur në flagrancë në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës, pas një hetimi intensiv të strukturave për hetimin e krimit, në momentin që po përpiqej të trafikonte dy shtetaset e sipërpërmendura. Policia, në bashkëpunim me prokurorinë, po punon për zbardhjen e plotë të aktivitetit ilegal dhe dokumentimin e provave që rëndojnë ndaj Kaçit.

3 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›