E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Dialog? Pasi të hapin kutitë!

 Majlinda Rama/Qemal BirakuSocialistët kanë vijuar protestat e tyre për kutitë e votimit në qytetin e Fierit dhe Vlorës. Duke përfituar nga rasti, kreu socialist Edi Rama iu përgjigj apelit të përsëritur të maxhorancës, për t’u rikthyer në Parlament duke theksuar se PS do të jetë e gatshme për dialog, pasi qeveria të heqë dorë nga vendimi për mos hapjen e kutive të votimit dhe pasi të marrë mbrapsht shpifjet e akuzat. “Dialog? Po. Por më parë të marrin mbrapsht akuzat e turpshme dhe shpifjet monstruoze ndaj opozitës.  Dialog? Po. Por më parë të hapin kutinë e mbyllur të të dhënave reale e të realitetit të plagëve të ekonomisë, duke filluar nga tuneli i Kalimashit, shifrat faktike të shpenzuara deri tani, sasinë e dëmit të shtuar nga shembja, parashikimin fundor të kostos së rrugës dhe, padyshim, nisja e hetimeve për të me një shprehje të qartë vullneti”, u shpreh Rama. Kreu socialist përsëriti dje nga Vlora dhe Fieri se dialogu mes maxhorancës dhe opozitës nuk mund të vijë pa u plotësuar kushti i hapjes së kutive të votimit. “Dialog? Po. Por më parë të heqin dorë nga kushti i moshapjes së kutive, duke i dhënë fund gënjeshtrës që hapja e kutive bie në kundërshtim me vendimin e gjykatës.  Po vëmë kushte? Jo. Po themi vetëm që dialogu duhet të jetë demokratik, i barabartë, i vërtetë, i hapur për çdo zgjidhje të krizës së rëndë dhe në asnjë mënyrë mjet shpëtimi për një pushtet që hedh lumin e vret kalin”, u shpreh Rama. Kreu socialist tha dje se opozita do të vazhdojë të protestojë deri në plotësimin e kushteve të saj dhe njohjen e votës së lirë. “Opozita do ta bëjë 2010-ën vitin e ndarjes nga ky pushtet. Pa ndalur asnjë çast të sharat dhe të palarat, kur na shkelin mbi varrin e familjarëve tanë, na ftojnë në parlament për dialog tani që karrigia po ju zhytet në qelb. Dialog po, por më parë të marrë të shkojë në vend kërkesa e opozitës, të hapen kutitë e votimit”, deklaroi kreu socialist gjatë protestës së radhës së opozitës në qytetin e Fierit. KrizaAshtu siç ka theksuar edhe në protestat e tjera të valës së dytë të aksionit politik të PS, Rama jep nga Fieri alarmin për gjendjen e vështirë ekonomike të vendit e të qytetarëve shqiptarë, të cilët po paguajnë krizën e sjellë sipas Ramës nga kreu i qeverisë Sali Berisha. “Sa herë e paralajmëruam Berishën të merrte masa kundër krizës, për të mbrojtur popullin por fatkeqësisht Berisha nuk dëgjoi këmbanën tonë dhe as këmbanën e FMN, duke e lënë vendin në rënie të lirë vetëm që të rrinte vetë në majën ku ka mbetur si gjel deti mbi kutitë e votimit”. Duke e vënë theksin në rritjen e çmimit të energjisë elektrike, vështirësitë ekonomike me të cilat do të përballen qytetarët dhe bizneset gjatë vitit që po troket, Rama ritheksoi vendosmërinë e opozitës për të çuar deri në fund betejën për hapjen e kutive të votimit, ku sipas tij fshihet vendimi i shqiptarëve “për t’u qeverisur nga një politikë, që hallin që nuk e zgjidh e qan me sinqeritet”. “Me siguri biznesmenët e vegjël nuk e kanë marrë vesh akoma se çmimi i energjisë nuk është rritur 13, por 22%. Shqipëria e ka të pamundur të festojë, kjo Shqipëri po përballet me mosmarrjen e rrogës në vigjiljen e vitit të ri. Hap kutitë ose largohu gënjeshtar sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re”, theksoi kreu i opozitës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›