E Shtunë, 31 Tetor 2026

Britania: Garantoni zgjedhje të lira

Ambasadorja e re e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mcllwham, vlerëson se Shqipëria duhet të kryejë zgjedhje të lira e të ndershme. Në një intervistë për Sokol Ballën, drejtorin e informacionit në "Top Channel", Mcllwham thotë se për të siguruar këtë, përgjegjësia është e qeverisë, por edhe e gjithë klasës politike.

Zonja ambasadore, në çfarë mënyre keni dëgjuar për herë të parë për Shqipërinë?

Për herë të parë dëgjova për Shqipërinë kohë më parë në mësimet e historisë. Por që atëherë kam pasur mundësi të punoj në rajon. Kalova katër vjet në Bosnjë dhe aty mësova shumë për rajonin në tërësi dhe natyrisht për Shqipërinë. Pastaj, pasi mësova për emërimin tim këtu, fola me shqiptarët në Britani, me ekspertë për vendin, si edhe pata mundësinë të mësoja pak gjuhën, dhe kjo ishte mundësi shumë e mirë për të mësuar më shumë.

Ju keni mbërritur në Shqipëri në një nga momentet e saj të historisë. Sa i rëndësishëm mendoni se është ky moment për Shqipërinë?

Ka shumë rëndësi. Nuk do doja të veçoja një moment të vetëm në historinë e një vendi, e cila është sa e pasur aq edhe e ndryshme. Por pa dyshim ky është një moment i rëndësishëm ku Shqipëria t‘i tregojë botës kredenciale demokratike, angazhim ndaj reformës në vazhdim.

Sa afër po e ndjek Mbretëria e Bashkuar procesin zgjedhor në Shqipëri?

Zgjedhjet janë të rëndësishme në çdo demokraci, por kanë rëndësi këtu në Shqipëri që ajo të tregojë angazhimin ndaj procesit të reformave. Nga perspektiva britanike, gjëja thelbësore është që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme, dhe sigurisht së pari është përgjegjësi e qeverisë dhe e partive politike që ta sigurojnë që të ndodhë kështu.

Zonja ambasadore, procesi që vazhdon për lëshimin e kartave biometrike të identitetit ka shkaktuar debate. Cili është këndvështrimi juaj për këtë proces?

Thelbësore është që kush ka dëshirën dhe të drejtën të votojë, ta ketë këtë mundësi më 28 qershor. Për këtë i duhet pasaportë apo kartë identiteti. Kështu që zbatimi i këtij procesi ka shumë rëndësi, kjo është fare e qartë. Dhe tani po i afrohemi afatit të fundit për aplikim për kartë identiteti. Pra është përgjegjësia e të gjithëve ne, por sidomos e udhëheqësve politikë këtu, që të inkurajojnë njerëzit që të pajisen me dokument identifikimi, i cili u duhet për të votuar.

Nga liderët politikë nuk mungojnë përditë thirrjet për pajisje me karta identiteti të shtetasve, por duket se procesi ka ngadalësi. Nëse ndodh që jo çdo shtetasi t‘i jepet mundësia për t‘u pajisur me letërnjoftime, a vihet kështu në dyshim procesi zgjedhor në tërësi?

Ka njerëz si ata të misionit vëzhgues të zgjedhjeve (ODIHR) që ndjekin çdo hap të rëndësishëm të procesit. Unë di që qeveria ka marrë angazhime që procesi të kalojë qetë. Mendoj se tani duhet të fokusohemi për të siguruar që njerëzit ta dinë se duhet të pajisen me karta identiteti dhe se e kanë mundësinë për këtë.

Çfarë ndodh pas zgjedhjeve, zonja ambasadore. Cilat janë sfidat me të cilat do të ndeshet qeveria e re?

Të gjitha partitë këtu janë angazhuar në integrimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit. Pra, sfida tjetër për qeverinë e vendit do të jetë çuarja përpara e reformave që do bëjnë të mundur anëtarësimin. Ka një proces shumë të qartë dhe një set kushtesh për anëtarësim në BE. Ka rëndësi që qeveria e re, cilado qoftë të fokusohet menjëherë në programin e reformave dhe të ndërtojë mbi progresin e arritur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›