E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ debaton për anëtarët e KZAZ-ve, Ristani apel partive

Kompozimi i Komisioneve të Qendrave të Votimit dhe Komisioneve Zonale të Administrimit të votave u bë dje objekt i replikave dhe mosmarrëveshjeve mes anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe përfaqësuesve juridikë të partive politike. Administrata e KQZ informoi anëtarët dhe subjektet politike në lidhje me ecurinë e funksionimit të KZAZ-ve dhe të ngritjes së KQV-ve. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, e konsideroi situatën si mjaft problematike dhe me tejkalime të tejskajshme të afatit ligjor të ngritjes së komisioneve të qendrave të votimit. Sipas tij, partitë politike duhet të kishin sjellë propozimet e tyre 40 ditë para zgjedhjeve ndërsa sot, më pak se 20 ditë këto komisione nuk janë ngritur ende. Ristani bëri me faj partitë politike, të cilat në mënyrë të përsëritur nuk sjellin propozimet për këto struktura, pjesë të procesit zgjedhor. Anëtarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, shprehu shqetësime për tejkalimin e afatit, por kërkoi që administrata e KQZ-së duhet të jetë më e vëmendshme për të mbajtur nën dijeni të vazhdueshme anëtarët në lidhje me këto probleme. Në përgjigje, kreu i KQZ-së, Ristani, u shpreh se pret që të paktën anëtarët e KQZ-së të jenë të bashkuar dhe unikë në kërkesën e përsëritur që partitë të plotësojnë detyrimet e tyre. Sa u përket KZAZ-ve, informacioni i dhënë nga administrata vëren se në dhjetë KZAZ ka probleme për shkak se disa anëtarë nuk paraqiten në detyrë, kanë dhënë dorëheqjen e etj. Kthimi i KZAZ-ve në vëmendjen e KQZ dha shkak që përfaqësuesi juridik i PD-së t‘u kujtonte përfaqësuesve të PS-së se nuk kanë plotësuar ende kriterin që 30% e propozimeve të jenë femra për 12 KZAZ. Përfaqësuesi juridik i PS-së, Genc Gjonçaj, pranoi vërejtjet e Ristanit se për partitë politike nuk janë treguar korrekte me propozimet për KQZ-në, por vuri në dukje se ky institucion "nuk ka pranuar të bëjë zëvendësimet për anëtarët e PS në KZAZ". Ristani kujtoi se së pari duhet të jetë PS-ja ajo që duhet të zbatojë ligjin dhe të reflektojë. "Më jepni një shenjë të reflektimit tuaj. Ju kërkoni të bëni zëvendësime, ndërsa s‘keni sjellë ende propozimet për 30% femra", tha Ristani. Në përfundim të debatit, Kosovrasti propozoi që nëse PS vijon të mos sjellë anëtarët, atëherë të zëvendësohen me anëtarë të partive të tjera, ide që u mbështet edhe nga anëtari i KQZ-së, Hysen Osmanaj. Sakaq, pritet që në ditët në vijim Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë provën e bojës matrikuluese, e cila përdoret ditën e zgjedhjeve si një provë që tregon që një votues nuk mund të votojë më shumë se një herë. Një çështje tjetër e diskutuar nga KQZ ishte e ajo e krijimit të mundësisë për të votuar për tetraplegjikët. Njëkohësisht, dje BMM paraqiti raportin e dytë të monitorimit të mediave për fushatën. Bëhej fjalë për dy raporte për shkak të mendimeve të ndryshme që ndajnë anëtarët nëse aktivitetet e qeverisë do të konsiderohen fushatë ose jo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›