Topalli, takim me biznesmenë të vegjël
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, njëherësh edhe nënkryetarja e PD-së, ka intensifikuar takimet elektorale në qytetin e Shkodrës, ku kryeson edhe listën e kandidatëve të PD-së për deputet. Pas takimeve në shesh dhe në salla sporti, Kryeparlamentarja ditët e fundit ka nisur të zhvillojë takime me njerëzit në rrugë, lagje e qendrat e vogla tregtare, ku ajo së bashku me kandidatët e tjerë për deputetë të PD-së kanë biseduar me biznesmenë të vegjël. Gjatë këtyre takimeve, Topalli ka marrë vlerësime për qeverinë "Berisha" për punën e bërë prej saj gjatë këtyre katër viteve, ashtu siç ka dëgjuar edhe shqetësimet që ata hasin në punën e përditshme. Tregtarët e vegjël të Shkodrës kanë vlerësuar se rrugët e reja, ulja e ndjeshme e taksave, furnizimi si asnjëherë më parë 24 orë me energji e ujë kanë rritur fuqinë blerëse.