E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, Rehn: Përfiton kush ka avancuar

Komisioneri Europian për zgjerimin, Olli Rehn, përsëriti në Bruksel se ky vit, viti 2009, duhet dhe do të bëhet viti i liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit që kanë përparuar më shumë në këtë proces. "Ne diskutuam veçanërisht mbi procesin e liberalizimit të vizave dhe rrugën që na pret përpara, pasi ky vit, viti 2009, duhet të jetë dhe do të bëhet viti i liberalizimit të vizave për vendet më të përparuara të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Serbinë", deklaroi Olli Rehn, Komisioneri Europian për zgjerimin e BE-së. Sipas "Alsat", gjatë një konference për shtyp, pas takimit me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiç, Rehn premtoi se edhe Serbia do ta fitojë heqjen e vizave. Nga ana e tij, Vuk Jeremiç, nuk hezitoi të përsërisë se Serbia do të vazhdojë të shpërndajë pasaportat e reja biometrike edhe për qytetarët e Kosovës, edhe pse kjo gjë përbën pengesën kryesore për disa shtete anëtare të BE-së për të arritur heqjen e vizave për Serbinë në një kohë me Maqedoninë dhe Malin e Zi. "Serbia do të vazhdojë të lëshojë pasaporta për të gjithë ata qytetarë që jetojnë gjithandej në të gjithë territorin e Serbisë. Kjo do të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet e Serbisë dhe të gjithë ata qytetarë që do të aplikojnë do ta marrin pasaportën sipas ligjeve të vendit", theksoi Vuk Jeremiç, ministër i Jashtëm i Serbisë. Në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave, komisioneri Rehn garantoi se po punohet që rekomandimi i komisionit të realizohet para pushimeve të verës. Burimet diplomatike në Bruksel rrëfyen, ndërkohë se një prej arsyeve që e pengon rekomandimin janë edhe zgjedhjet parlamentare që mbahen në Shqipëri më 28 qershor. Në kohën kur dihet që ky vend nuk i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave, Komisioni Europian nuk preferon ta thotë zyrtarisht këtë para zgjedhjeve për të mos ndikuar në rezultatin e procesit e vend, i cili do të rrezikonte pozitat e qeverisë aktuale për shkak të ndjeshmërisë së qytetarëve kundrejt procesit të vizave.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›