E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputeti Tavo mbron Lazaratin

Partia Socialiste e Gjirokastrës akuzon Partinë Demokratike dhe kandidatët e saj se po ushtrojnë presion psikologjik mbi banorët e fshatit Lazarat. Vangjel Tavo, kandidat i PS-së në Qarkun e Gjirokastrës, i cili është aktualisht edhe deputet i kësaj zone, doli dje me një deklaratë për shtyp, me anë të së cilës denoncoi sipas tij "presionin" që kandidatët e PD-së po ushtrojnë ndaj lazaratasve nëpërmjet policisë dhe institucioneve të tjera shtetërore. "Ditët e fundit, policia e Gjirokastrës, në sinkron të plotë dhe me urdhër të kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike, Genc Ruli e Spiro Ksera, ka intensifikuar presionin psikologjik, terrorin verbal dhe fizik mbi banorët e Komunës së Lazaratit", tha Tavo. Sipas tij, Ruli e Ksera, duke parë se banorët e Lazaratit e kanë kuptuar të vërtetën dhe nuk mund të përdoren më për manipulim votash, nuk mund të vihen më në rresht nga PD dhe disa eksponentë të saj lokalë për të mbushur kutitë e votimit në mënyrë fiktive, prandaj kanë nxjerrë në pah dhunën shtetërore. Tavo thotë se presioni nisi pas vizitës së suksesshme të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në Lazarat. "Në kuadër të presionit, reprezaljeve dhe dhunës së heshtur që kryhet mbi banorët e thjeshtë të Lazaratit, policia politike e Gjirokastrës ka ngritur postblloqe në disa rrugë të fshatit, duke bërë një shtetrrethim të vërtetë. Këto postblloqe, në emër të gjoja luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike, në fakt kanë si qëllim të trembin dhe terrorizojnë banorët", tha Tavo. Ai e konsideroi absurd faktin që policia nuk lejon të hyjnë në Lazarat mjete të firmave të ndërtimit, që çojnë ujë në objektet të cilat ndërtohen në fshat, si dhe ndalimin që u bëhet banorëve të cilët çojnë ujë për të pirë në shtëpitë e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›