Zogaj: Ligjin e PD për dosjet e provokoi projekti i PS
ADI SHKEMBI
Deputeti i PD-së, Preç Zogaj kërkon që maxhoranca të vlerësojë sugjerimet e SHBA dhe partnerëve ndërkombëtarë për ligjin e dosjeve. Zogaj thotë se ligji i PD-së që po shqyrtohet këto ditë në tavolinat e Kuvendit është provokuar nga një projektligj i PS-së, që penalizonte vetëm ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit dhe jo piramidën e Partisë së Punës.
Kryeministri Berisha, në argumentim të ligjit të ri për dosjet, deklaroi në Kuvend se ligji i parë u zhbë nga socialistët sapo këta erdhën në pushtet. A është kjo arsyeja kryesore që ky ligj rikthehet pas kaq vjetësh?
Është e vërtetë se një pjesë e ligjit të vitit 1995 u zhbë, por jo gjithë ligji dhe kryeministri e tha qartë këtë. Dispozitat për ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit, për shembull, janë zbatuar deri në fund nga komisioni “Bezhani”. Në këtë logjikë, rikthimi i ligjit, për disa kategori vjen si një zgjatje e afatit të ndëshkimit, ndërsa për disa të tjera vjen si vuajtje e ndëshkimit të pakryer. Por për të qenë më të saktë duhen parë amendamentet që i bënë socialistët ligjit të vitit 1995, kur erdhën në pushtet në vjeshtën e vitit 1997.
A nuk do të thotë kjo se njerëzit ndaj të cilëve është zbatuar ligji i parë do të gjykohen dy herë për të njëjtën gjë?
Kështu duket. Dhe kjo s’do të mbarojë kurrë, sa kohë që ligjvënia në këtë aspekt mbetet gjithnjë e motivuar nga interesa, konflikte dhe lojëra politike të caktuara, pa lidhje me shtetformimin dhe vizionin e historisë. Unë e thashë edhe në Kuvend. Ndarjen e madhe me të kaluarën komuniste, shqiptarët e bënë në Lëvizjen Demokratike të Dhjetorit 1990 dhe në zgjedhjet e vitit 1992. Asnjë ligj nuk mund ta rivalizojë këtë ndarje, të cilën e çon përpara vetëm zhvillimi dhe integrimi euroatlantik.
Pse atëherë ky projekt kur Shqipëria është integruar në NATO dhe po integrohet hap pas hapi edhe në BE?
Është e vërtetë se asnjëra prej partive kryesore nuk doli në fushatën për zgjedhjet politike të vitit 2005 me një projekt apo me një paralajmërim se do të kishte një projekt për hapjen e dosjeve apo për pastërtinë e figurës. Projekte të tilla nuk janë hedhur ndonjëherë në popull. Në këtë sens, me sa di, PD-ja që ka bërë ligjin e vitit 1995, e konsideronte të ezauruar këtë çështje. Sipas gjykimit tim, projekti i PD-së erdhi si një reagim i pashmangshëm i agresionit të socialistëve të Edi Ramës kundër qeverisë dhe maxhorancës demo-krate. Megjithëse shumica dërrmuese e deputetëve demokratë kishin kaluar në sitën e komisionit “Bezhani” apo në Gjykatë, këta socialistë dhe socialiste, mjaft prej të cilëve kishin qenë në majat më të lartë të pushtetit dhe qeverisë për tetë vjet me radhë, filluan sulmin, herë duke përdorur shkarravinat e ish-sigurimit të tyre të shtetit, që ia kalonin njëri-tjetrit si telefon i prishur, herë duke referuar shpifjet dhe fantazitë e shoku-shoqes. E gjithë kjo përpjekje e shëmtuar kulmoi me projektligjin e tyre të “pastërtisë” në tetor të vitit 2006. A ju kujtohet, apo e keni harruar?
E keni fjalën për atë që u quajt projektligj i një grupi deputetësh socialistë?
Për atë e kam fjalën. Ashtu siç zbatuan në mënyrë selektive ligjin e parë të Lustracionit, grupi i deputetëve të Ramës paraqitën një projekt në të cilin tri shtyllat e regjimit komunist - Partia e Punës, qeveria e Partisë së Punës, Kuvendi Popullor i Partisë së Punës - nuk përmendeshin fare, pra dilnin mirë, dilnin të pastër. Po ashtu edhe institucionet e tjera të diktaturës komuniste nuk përmendeshin fare. Projekti i PS-së fokusohej tek ish-bashkëpunëtorët e sigurimit, por edhe këta nuk i gjykonte për çfarë kishin bërë, por për çfarë u kishte ndodhur. Më saktë i gjykonte për çfarë u kishte bërë Partia e Punës dhe ish-sigurimi, pasi nuk kam dëgjuar që ndonjë qytetar të jetë futur në rrjetin e ish-sigurimit me kërkesën e tij. Ky projekt provokativ dhe luftënxitës mund të konsiderohej si beteja më e ulët që ligësia dhe marrëzia i kishin shpallur arsyes. A nuk është marrëzi dhe ligësi të thuash se po gjykon diktaturën komuniste dhe të mos përmendësh fare Partinë e Punës, në një kohë kur gjithë sa janë mbi tridhjetë-tridhjetë e pesë vjeç e dinë mirë sot e gjithë ditën se komunizmi në Shqipëri kishte sanksionuar de jure dhe de fakto rolin udhëheqës dhe hegjemon të Partisë së Punës, që do të thotë se askund dhe asgjë nuk bëhej pa vullnetin e saj! Këto pohime vlejnë për të kuptuar sa e fortë është fuqia verbuese e ligësisë dhe injorancës. Në rrafshin praktik, tani që vendi ka hyrë në rrugën e demokracisë, qasje dhe trajtime si ky që cituam nuk mund të kenë kurrfarë impakti. Arsyeja i fiton këto beteja. I fiton edhe po të jetë vetëm.
Ju thoni se projekti i PD-së u paraqit si një reagim ndaj këtij të PS-së? Por PS-ja e ka tërhequr projektin e vet, apo jo?
Nuk di të jetë tërhequr me vetëdijen e një nisme të papranueshme; nuk kam dëgjuar apo lexuar ndonjë deklaratë të qartë për këtë. Mënyra se si sillen drejtuesit socialistë lë të kuptohet se ata e tërhoqën ligjin e tyre përballë ligjit të PD-së, e tërhoqën sepse nuk u dolën hesapet, e tërhoqën për të bllokuar ligjin e PD-së, e tërhoqën për të mbrojtur disa kategori që i quajnë të tyre, kjo është e vërteta. Të gjithë ata që preken për momentin nga projekti i PD-së, duhet ta dinë se PS-ja që hiqet sikur po i mbron, e provokoi këtë situatë.
A mos duke u provokuar, siç thoni ju, Berisha ra në kurthin e socialistëve, duke paraqitur një projekt, që nuk i ka kënaqur partnerët tanë ndërkombëtarë?
Këtu është fjala për një provokim që, po ta lësh të kalojë pa përgjigje, ka pasoja elektorale. Natyrisht, rikthimi i ligjit të Lustracionit nuk do të justifikohej po të mos ekzistonte konteksti politik që krijuan akuzat dhe projekti socialist. Në një debat çfarëdo, Berisha e kishte përgjigjen për të gjithë: “Unë e kam bërë ligjin tim në kohën e duhur! Unë e kam zbatuar rezolutën e KE-së në kohën e duhur”! Por e them përsëri: akuzat dhe, në tërësi qasja e socialistëve për çështjen e dosjeve, nuk mund të mos marrë përgjigje.
Në fjalimin që mbajtët në Kuvend, ju paraqitët disa vërejtje edhe për procedurën dhe për projektin e PD-së. Ku konsistojnë këto?
Pavarësisht rrethanave dhe arsyeve që përligjin veprimin e PD-së, ligji është ligj dhe prandaj, në grupin parlamentar, kur u debatua për këtë çështje, kam kërkuar që projekti të përgatitet dhe të paraqitet duke patur dijeni ne si ligjvënës, opinioni publik dhe sidomos brezi i ri, për këto çështje: së pari, cila ishte hierarkia e organeve të diktaturës komuniste, sipas peshës dhe rëndësisë, e shprehur kjo nëpërmjet kompetencave përkatëse deri te pagat. Kjo është e rëndësishme të dihet për të shmangur absurditete të tilla, kur fjala vjen një njeri që nuk ka vendosur as edhe një gjë për funksionimin e diktaturës dhe nuk ka marrë asnjë lek prej saj apo më tej, është persekutuar prej saj, të konsiderohet në ligjet tona si një element më i qenësishëm i diktaturës se sa një deputet apo ministër i regjimit komunist. Së dyti, çfarë është Platforma e Byrosë Politike për ish-sigurimin e shtetit; drejt cilës shtresë e orientonte Partia e Punës së Shqipërisë sigurimin në lidhje me rekrutimin e ish- bashkëpunëtorëve; bashkëpunëtorët kanë bërë kërkesë, kanë zënë radhë, kanë futur miq për t’u bërë të tillë apo bashkëpunimin ua ka kërkuar shërbimi sekret i vendit të tyre? Sa për qind e tyre kanë bërë kërkesë. Edhe kjo është e rëndësishme të dihet për të kuptuar përbërjen klasore të kësaj kategorie dhe kushtet e rekrutimit. Së treti, a kanë autorësi institucionale krimet e regjimit komunist, a mund të klasifikohen në përqindje sipas autorësisë institucionale. Në një konferencë të para pak javëve për dosjet, në praninë e një eksperteje nga Gjermania, u deklarua se 85 për qind e krimeve të komunizmit kanë autorësinë direkte të partisë dhe levave të saj, siç ishte për shembull fronti demokratik. Askush nuk e kundërshtoi dhe as e konfirmoi këtë shifër. Si qëndron e vërteta. Edhe kjo është e rëndësishme të dihet, në mënyrë që ligji të orientohet drejt, domethënë ligji që bëhet për të dënuar krimet nuk mund të përjashtojë institucionet që kanë autorësinë e shumicës dërmuese të krimeve. Së katërti, sa dosje janë zhdukur, a janë zhdukur për të fshirë gjurmët e krimit dhe autorëve të tyre, apo janë zhdukur sepse plotësonin kriteret e asgjësimit, si dosje pa vlerë për shërbimin; a ka ndërkaq dosje që plotësojnë kriteret ligjore të asgjësimit dhe nuk asgjësohen? Edhe këto janë të rëndësishme të dihen, së pari, për të mos ligjëruar zhdukjen e qëllimshme të dosjeve, e dyta për të lejuar asgjësimin e vazhdueshëm të atyre dosjeve që plotësojnë kriteret ligjore të asgjësimit. Së pesti, si është zbatuar ligji i parë i Lustracionit, cilat kategori i kanë bërë bisht zbatimit dhe cilat jo. Së gjashti, sa është afërsisht numri i personave që preken nga ky ligj. Së shtati, t’i jepet Kuvendit një përmbledhje e saktë e modeleve të vendeve të tjera, sepse ka konfuzion në lidhje me modelet, ka përkthime dhe kuptime të gjymtuara, gjë që u pa qartë edhe gjatë vizitës së ekspertes gjermane në Shqipëri. Edhe kjo është e rëndësishme të mësohet qartë dhe njëherë e mirë, pasi duke keqkuptuar apo spekuluar me modelet, dëgjon në Shqipëri propozime nga më absurdet që nuk i qëndrojnë logjikës elementare. Varfëria mendore dhe shpirtërore e ka dorën të rëndë, kur është fjala për të penalizuar, por ligjvënia duhet të qëndrojnë në parametrat e së drejtës. Të gjitha këto i kam konsideruar të mundshme dhe të nevojshme si shprehje respekti për ligjvënësit dhe publikun, por edhe në funksion të një ligji të drejtë. Për fat të keq, megjithëse ligji u mbajt gjatë në komisionin përkatës, nuk pamë përpjekje për të mbledhur këtë informacion, mungesa e të cilit u zëvendësua me retorikën që ka shoqëruar ngaherë nisma kësisoj.
Por ju deklaruat se do ta votonit ligjin edhe pse keni vërejtje. Cilat janë konkretisht vërejtjet?
Fillimisht, dëshiroj të them se ligji ka dy risi pozitive që meritojnë të vihen në dukje. Ai i referohet veprimtarisë kriminale të subjektit që verifikohet, pra jo thjesht funksionit. Çdo shtetasi i krijohet mundësia të shohë dosjen e tij - dispozitë që sjell diçka prej ligjit gjerman. Unë kam deklaruar se do ta votoj me kolegët si një ligj të shumicës, edhe pse nuk jam marrë me të, pra nuk është ligji im. Unë kam patur dhe kam një qasje tjetër për këtë ligj - parimi i ligjit gjerman ka qenë më i përshtatshëm për ne - por siç e thashë nuk kam projekt. Ndërkaq, te projekti që është paraqitur nuk mund të mos konstatoj një paradoks për të cilin fola edhe në Kuvend: brenda së njëjtës diktaturë komuniste, që ka qenë unike nga fillimi në fund, projekti qëmton kategori apriori të pastër, siç janë deputetët, ministrat, funksionarë të rëndësishëm partiakë që kanë vendosur për jetën tonë dhe në anën tjetër kategori apriori të papastër apo të padenjë, siç shprehet projekti. Mandej, nuk arrij të kap kuptimin juridik të fjalës “pastërti”.
A do të thotë kjo se ju jeni për zgjerimin e rrethit të kategorive që verifikohen dhe ndalohen?
Jo, unë po vë në dukje një paradoks, përballë së cilës arsyeja e ka të vështirë të mos ndihet. Më tej, unë e kam deklaruar dhe e deklaroj se ndarjen më të madhe nga e kaluara komuniste shqiptarët e kanë bërë me votë në vitin 1992, asnjë ligj nuk mund ta rivalizojë atë që bëri populli; ne jemi pak a shumë i njëjti popull që jetoi diktaturën, nuk jemi një popull tjetër. Në mungesë të një amnistie të madhe politike për të kaluarën, çfarë do t’i bënte mirë Shqipërisë tetëmbëdhjetë vjet pas shembjes së regjimit komunist, kur koha, proceset integruese dhe zhvillimi e kanë bërë plotësisht të pakthyeshëm kursin e demokracisë, kam menduar e mendoj se vetëm gjykatat kanë tagër të shpallin fajtorë. Në të gjykuar unë i përkas fluksit liberaldemokrat, një ndër korifenjtë e të cilit është Aron, i cili ka argumentuar se gjykimi i së kaluarës duke u nisur nga pasojat të çon në padrejtësi të rënda. Mbi gjykime të tilla është ngritur civilizimi evropian. Janë gjykime të holla për mendjet e trasha, por në majat e politikës sonë ka njerëz që e kuptojnë dhe e ndjejnë këtë kulturë.
Ju thatë se nuk keni një ligj tuajin. Cili mund të jetë ai?
Sa kohë që nuk kam, nuk mund të flas. Në parim, gjej logjikë në një ligj që tenton të krijojë transparencë për ata që kanë pësuar dhunën e diktaturës dhe më duket se ligji gjerman shkonte në këtë drejtim. Ndërkohë nuk do të pajtohesha me nisma që e konsiderojnë ligjin si akrep për të kapur njërin e tjetrin, nuk do të miratoja që ligji t’u lihej në dorë atyre që Adam Mihnik, disidenti polak, i quan tabula rasa-t e periferisë, njerëz që nuk kanë bërë kurrë asgjë dhe tani vinë e mburren se janë të pastër ngaqë nuk kanë bërë asgjë; nuk do të miratoja një projekt që në emër të gjoja pastërtisë nuk kërkon gjë tjetër veçse dekonspirimin e rrjetit të shërbimit të fshehtë, çfarë nuk e bëjnë as pushtuesit.
Qeveria e SHBA-së dhe mandej edhe OSBE-ja kanë thënë se ligji juaj ka elemente antikushtetues? A ju shqetëson ky fakt dhe si mund të votoni një ligj që vlerësohet si antikushtetues?
Unë nuk jam jurist. Kuvendi ka juristë që paguhen për këtë punë, Komisioni i Ligjeve ka juristë, brenda komisionit ka juristë, Kryeministri Berisha asistohet nga juristë. Si mund të di unë, kur gjithë këta juristë thonë se nuk është antikushtetues. Unë mund të dalloj kontradikta logjike, por nuk kam njohuritë e nevojshme të dalloj ato ligjore. Qëllon që një shumicë voton ligje që pastaj rezultojnë antikushtetues. Prandaj e kemi Gjykatën Kushtetuese.
A duhet të votojë apo të marrë në konsideratë sugjerimet amerikane dhe OSBE-së për ta shtyrë?
Sugjerimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë, në radhë të parë të qeverisë së SHBA-së duhen vlerësuar. Vendimi merret në grup dhe ne do të zbatojmë vendimin e grupit.