E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Djajtë e kuq” në finalen e Botërorit



Mançester Junaitid siguroi një vend në finalen e Botërorit të klubeve falë fitores tepër bindëse (5-3) me klubin japonez të Gamba Osakës, ndërkohë që gjashtë nga 8 golat e shënuar kanë ardhur në 16 minutat e fundit të ndeshjes. Sër Aleks Ferguson nuk është habitur aspak me mbrojtjen e skuadrës së tij, por vlerësoi maksimalisht skuadrën vendëse, loja sulmuese e së cilës solli një spektakël argëtues. Si përfundim, sulmi i kampionëve të Premier Ligës dhe të Europës tregoi se ishin kundërshtarë shumë të fortë, teksa që në 28 minutat e para gjetën rrugën e golit me anë të Nemanja Vidiç. Junajtid dyfishoi rezultatin në fund të pjesës së parë, me anë të Kristiano Ronaldos, i cili ktheu në rrjetë goditjen e këndit të gjuajtur nga Rajan Gigs. Japonezët gjetën rrjetën në minutën e 74’ me anë të Masato Jamazakit, por europianët iu përgjigjën me tre gola të tjerë në vetëm katër minuta lojë. Në minutat e fundit të ndeshjes, skuadra e Osakës shënoi dy herë të tjera, një nga pika e penalltisë, ndërsa tjetrën nga një goditje dënimi. Me këtë fitore, Mançester Junajtid shkon në finalen e së dielës, ku përballë do të ketë skuadrën nga Ekuadori, Kuito. “Ishte një ndeshje e fortë. Për disa momente u nervozova me të vërtetë, por në fund kuptova se loja e kundërshtarit tonë është një tregues i mirë i përparimit të futbollit në Japoni”, - tha Ferguson në konferencën për shtyp pas ndeshjes. Tashmë, Mançesterit i duhet të përgatitet për të luajtur në finalen e madhe përballë ekuadorianëve, që eliminuan në gjysmëfinalen tjetër meksikanët e Paçukës. Ndërsa Adelaide ka fituar finalen për vendin e pestë, duke mposhtur 1-0 Al Ahlin.
Kristiano Ronaldo
Kur duhet të mendojë për formacionin që do të hedhë në fushën e lojës ditën e diel për finalen e Kupës së Botës për Klube, trajnerit Sër Aleks Ferguson i bëhet “ferrë” edhe çështja më shqetësuese e karrierës së tij: transferimi i Kristiano Ronaldos te Reali i Madridit. Së fundmi, e përditshmja spanjolle “El Mundo Deportivo” shkruante në faqet e saj se Pedro Trapote, drejtori i madrilenëve, ka arritur një marrëveshje me klubin anglez për blerjen e kartonit të “Topit të Artë”, edhe pse asgjë nuk është bërë publike. Reagimi i teknikut skocez ndaj këtyre zërave ishte i menjëhershëm, teksa me një sjelle plot “mirësjelljeje” ndaj kolegëve të tij hodhi poshtë të gjitha spekulimet. “Mendoni se mund të arrij unë ndonjë marrëveshje me ata “rrugaçë”? Mos o Zot! Nuk ka asnjë shans. Atyre nuk u jap as helmin! Nuk ka absolutisht asnjë marrëveshje mes nesh. Me këto fjalë, Reali dëmton veten, askënd tjetër. Në fund të merkatos së verës i thashë shefit ekzekutiv, Deivid Xhill, se vë bast me jetën time që në janar do të fillojnë përsëri spekulimet dhe kështu ndodhi ende pa ardhur merkatoja. Tani na duhet vetëm të hedhim poshtë gjithçka”, - tha me një farë krenarie sër Aleks Ferguson. – Nëse shqetësohemi për këtë që thotë Reali i Madridit, i bie të shpërqendrohemi nga publiciteti ynë dhe nga programi i vështirë i ndeshjeve që po afrojnë. Ndonjëherë ata krijojnë një situatë tepër të rënduar dhe personalisht shqetësohem shumë. Ne e njohim mjaft mirë lojën e tyre dhe mendoj se duhet të vazhdojmë rrugën tonë, pavarësisht se çfarë thonë ata. Në fund të fundit, nuk duhet të merremi me çështje ‘rrugaçësh’”, - përfundoi Ferguson. Pas kësaj deklarate, klubi i Mançesterit padyshim që është në pritje të një kundërpërgjigjeje nga “rrugaçët” madrilenë.

Anelka mbush 100

100 gola të shënuar në Premier Ligën Angleze nga francezi Nikola Anelka. “Është kënaqësi e madhe kur shënon 100 gola në një kampionat të tillë. Golin tim të parë e realizova kundër Mançester Junajtid më 1997-n dhe ishte një ndjesi tepër e veçantë. Ishte një gjuajtje e shkurtër e Mark Overmarsit, që u kthye nga mbrojtja dhe përfundoi në këmbën time. Gjuajta drejt portës dhe shënova. Në atë kohë isha vetëm 18 vjeç. Mbështetjen që kam marrë nga Bergkamp nuk do ta harroj kurrë. Ai shënonte vetë shumë gola, por jepte edhe asiste të shumtë. Ai ma bëri shumë të thjeshtë gjetjen e rrjetës", - tha Anelka.

19 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›