E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë-Durrës ka fitore mbijetese



Leonard Karaj

Skënderbeu vazhdon serinë e rezultateve pozitive në Superligë, këtë javë i ndjekur edhe nga Gramozi. Ndërkohë vetëm një barazim pa gola në Fier mes Apolonisë dhe Shkumbinit. Një Superligë e cila po bëhet gjithnjë e më shumë e kuptueshme. Skuadrat e kreut kanë nisur garën “e tolerimeve” në të cilën kanë përfituar së fundmi Skënderbeu dhe Kastrioti. Krutanët fituan pa shumë vështirësi ndaj Besës së Kavajës ditën e premte në fushën e tyre ndërsa korçarët kanë ndalur Dinamon e Shkëlqim Muçës, skuadër kjo thuajse të hipotekuar titullin kampion për këtë sezon. “Seriozisht” të paktën për katër përballjet e zhvilluara dje dhe pardje) duket se është luajtur vetëm në Fier ku Apolonia vendase tentoi por pa mundur që të marrë tri pikë ndaj Shkumbinit të Përparim Daiut.
Goleada
Ajo që të bie në sy në takimet e djeshme ishte goleada e korçës ku në harkun e njëzet minutave dy skuadrat shënuan plot shtatë gola. Në fillim ishin vendasit të cilët kaluan dy herë në avantazh me anë të Guerrip (54’, 56’). Kësaj dopiete i është kundërpërgjigjur po me dopietë sulmuesi i Dinamos, Elis Bakaj (58’, 62’). Ky i fundit ka shkuar në kuotën e 13 golave për këtë sezon dhe pretendon “Këpucën e Artë”. Ndoshta pikërisht ky synim ka bërë që dinamovitët të luanin më së shumti që bakaj të arrinte të shënonte sesa që skuadra të mund të fitonte takimin. Faktikisht dinamovitët arritën të kalonin edhe në avantazh me anë të Puntinçanin (68’) por Frashëri (71’) dhe Nesteroviç (74’) i dhanë fitoren e radhës bardhekuqve të cilët i largohet përkohësisht pas shumë kohësh fundit të tabelës.
Kolonjarët
Pikë shprese kanë mundur të marrin edhe kolonjarët në “Niko Dovana” të Durrësit ndaj Teutës, targuar Ylli Shehu. Një gol i brazilianit Do Santos dhe një supergol i serbit Semir Haxhibuliç i kanë dhënë tri pikë Gramozit, i cili gjithsesi mbetet në vend të fundit, në pritje të ndeshjeve të Flamurtarit (24 pikë) dhe Vllanzisë (27 pikë). Gjithsesi Gramozi do të kërkojë më të mirën në javën e ardhshme ku do të presë në fushën e vet një rival direkt në luftën për mbijetesë, pikërisht Skënderbeun e Korçës. Një fitore e kolonjarëve do t’u jepte shpresë për një qëndrim në Superiore edhe për sezonin tjetër.
Flamurtari
Ndërkohë sot do të luhen dy takimet e fundit të kësaj jave ku bie në sy përballja e Vlorës mes Flamurtarit dhe Tiranës. Ndeshja është ndezur mjaft gjatë kësaj jave nga polemikat, akuzat mes dy kampeve në media, ndaj takimi pritet të jetë mjaft i nxehtë edhe në fushën e lojës. Një fitore e Tiranës do ta çonte skuadrën e Refik Halilit shumë pranë Besës së vendit të dytë, por njëkohësisht do të ndëshkonte shumë vlonjatët, të cilët mund të rrezikojnë seriozisht qëndrimin në Superiore. Takimi tjetër i ditës së sotme është ai i “Loro Boriçit” mes Vllaznisë dhe Laçit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›