E Diel, 1 Nëntor 2026

Britania do të ekstradojë në Shqipëri të kërkuarit

Autori i Lajmit: red.
Britania e Madhe do të ekstradojë personat e kërkuar nga Policia Shqiptare. Fakti se rreth 100 shqiptarë të kërkuar vepra të ndryshme penale dyshohet të strehohen në Angli, është bërë shkak i nisjes së një bashkëpunimi mes policive të dy vendeve. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka marrë garancinë dje nga ministri i Shtetit për Policinë, Krimin, Sigurinë dhe Çështjet e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Vernon Koker, për kthimin e të dyshuarve para drejtësisë. Tashmë pritet të nisë verifikimi i dokumentacioneve të emgirantëve shqiptarë në Britani për të verifikuar identitetin dhe gjendjen penale të tyre.
Bashkëpunimi
Përsa i përket bashkëpunimit për arrestimin dhe më pas ekstradimin e personave të kërkuar nga drejtësia shqiptare, por që jetojnë në Britani, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u shpreh se "fatkeqësisht, në Britaninë e Madhe jetojnë disa shtetas shqiptarë të kërkuar nga ana jonë për disa vepra penale. Me policinë kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer, por në disa raste nga ana e gjykatave është refuzuar ekstradimi i tyre drejt vendit tonë. Ne jemi të hapur për shkëmbim informacioni me qëllim ekstradimin e ndërkohë, ministri i Shtetit për Policinë, Krimin, Sigurinë dhe Çështjet e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, z. Vernon Koker dha një mesazh në adresë të policisë, sidomos në këto pragzgjedhje”. “Shumë e rëndësishme në punën e policisë është ndarja e saj nga politika. Gjithmonë policia duhet të jetë e pavarur dhe të bëjë punën e saj", - deklaroi Vernon Koker.
Takimi
Ministri i Shtetit për Policinë, Krimin, Sigurinë dhe Çështjet e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Vernon Koker, i garantoi dje bashkëpunim të plotë drejtorit të Policisë së Shtetit shqiptar. Ministri britanik tha gjatë takimit në Tiranë, se "jo të gjithë shqiptarët që jetojnë në Britani janë kriminelë. Por nga ana jonë, ne jemi të gatshëm për arrestimin e personave të kërkuar nga ana juaj dhe mirëpresim çdo lloj informacioni që mund të keni për shtetasit e kërkuar. Unë ju premtoj se do të bëj të pamundurën për t i ekstraduar të kërkuarit për në vendin tuaj". Pas marrjes së garancisë për bashkëpunim, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, falënderoi ministrin Koker edhe për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy policive. Sipas Prençit, Policia e Shtetit është e vendosur për të vazhduar më tej bashkëpunimin me Policinë Angleze, kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të qenieve njerëzore, arrestimin e personave të kërkuar, në fushën e trajnimeve të oficerëve të policisë shqiptare etj.

Shtypi anglez: Në Britani strehohen 100 kriminelë shqiptarë

Britania e Madhe po bëhet një vend popullor për qëndrimin e të huajve të akuzuar e të hetuar për krime të ndryshme. Këtë e konstaton shtypit anglez,(Daily Telegraf) i cili mes të tjerash thekson se 100 kriminelë shqiptarë strehohen në këtë vend, edhe pse Interpoli i ka në listat e tij të personave të kërkuar. Britania është bërë kështu një destinacion i preferuar për azil i shumë personave që janë akuzuar e dënuar për vrasje në vendet e tyre. Pjesa më e madhe e kriminelëve janë dënuar në Shqipëri, ndërkohë lëviznin me identitet të rremë, pasi janë pajisur me pasaporta britanike. "Rrugët e mbërritjes kanë qenë të ndryshme. Kanë përdorur emra të rremë dhe dokumente false për të kërkuar azil, shpesh hiqen si të dëbuar gjatë luftës së Kosovës", - shkruan Digital Journal.com.

Ky lajm është publikuar: 18/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›