Britania e Madhe: Përkrahim integrimin e Shqipërisë në BE, por të plotësohen kriteret
Qeveria e Britanisë së Madhe ka reaguar pas dorëzimit të kërkesës së kryeministrit Berisha për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Zëdhënësi i qeverisë britanike tha se Britania përkrah anëtarësimin e Shqipërisë në BE, por më parë Shqipëria duhet të përmbushë të gjitha kriteret. Qeveria britanike ka bërë të ditur se pranimi i Shqipërisë në BE nuk mund të ndodhë menjëherë dhe Shqipëria duhet të përmbushë kushtet. "Britania përkrah aspiratat e Shqipërisë për në Bashkimin Europian. Ne besojmë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE. Por ky nuk është një proces që do të ndodhë brenda natës dhe ndryshime të mëdha ende duhen bërë para se Shqipëria të plotësojë të gjitha kriteret. Çdo aplikim për anëtarësi në BE gjykohet në merita individuale dhe përballet me kritere të qarta", - tha zëdhënësi i qeverisë britanike për “BBC”-në. Ndërkohë kjo e fundit thekson në një shkrim të posaçëm se Shqipëria nuk pritet të bëhet anëtare e BE-së të paktën deri në 2015-n. “Shqipëria ka aplikuar zyrtarisht për t'u anëtarësuar për në BE. Kryeministri Sali Berisha ia dorëzoi aplikimin homologut çek, Mirek Topolanek, vendi i të cilit ka presidencën e BE-së. "Ky akt ka rëndësi historike duke shënuar kthimin e një kombi në familjen e kombeve europiane", - tha ai. Zoti Topolanek tha se Shqipëria kishte bërë ndryshime pozitive të jashtëzakonshme, por theksoi se shteti ballkanik ende përballej me një punë të madhe. Shqipëria nuk pritet të bëhet anëtare e BE-së të paktën deri në 2015-n”, - thuhet në shkrimin e “BBC”-së për Shqipërinë.
30 Prill 2009