E Hënë, 2 Nëntor 2026

Interpoli fillon kërkimet në Amerikë për të zhdukurën

18/01/2005  TIRANË –Zyrat ndërkombëtare të Interpolit fillojnë kërkimet për shtetasen shqiptare Irena Seli, 39 vjeçe, e zhdukur më shumë se një muaj më parë. Ajo është bashkëshorte e shtetasit Agim Musho, pronar i kompleksit “Bruno”. Me një urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Interpoli ka filluar verifikimet për vendndodhjen e gruas së zhdukur në datën 16 dhjetor të vitit 2004. Dosja penale është transferuar dje nga Prokuroria e Tiranës, në zyrat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Hetuesit e këtij institucioni, e kanë marrë dosjen për shkak të mundësive më të mëdha që kanë për kontakte dhe hetime ndërkombëtare, me homologët e tyre. Lajmi është konfimuar dje nga burimet zyrtare të organit të akuzës në kryeqytet. Sipas këtyre burimeve, njëkohësisht me kërkimet e policisë shqiptare në disa zona brenda vendit, një kërkesë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda është faksuar në zyrat e Interpolit, të cilëve u kërkohet të verifikojnë dyshimet se e zhdukura ndodhet në territorin e Shteteve të Bashkuara.

Hetimi

Rreth orës 17.30 të ditës së diel, hetuesit e gatshëm në Prokurorinë e Tiranës kanë marrë në pyetje të afërmit e të zhdukurës. Me vullnetin e tyre, familjarët e Irena Selit, kanë shkuar në Prokurori dhe kanë kërkuar të japin sqarime për zhdukjen e njeriut të tyre të afërt. Burimet zyrtare nga organi i hetimeve në kryeqytet, thanë se të afërmit e Irenës kanë shprehur dyshime për bashkëshortin e të zhdukurës. Ata u kanë pohuar hetuesve se, motra e të zhdukurës, e cila jeton në Gjermani, i kishte telefonuar në datën 16 dhjetor në familje dhe u kishte thënë se Irena kishte hipur me bashkëshortin në tragetin që vinte atë ditë nga Italia në Shqipëri. Sipas familjarëve, motra e Irenës që ndodhej në Gjermani, kishte kontaktuar me të zhdukurën në telefon, gjatë kohës që ajo po hynte në traget. Ajo i kishte thënë se ndodhej në traget dhe se do të vinte në Shqipëri. “Diçka ka ndodhur gjatë rrugës detare për në Shqipëri. Raportet e tyre ishin acaruar. Dokumentacioni në Portin e Durrësit, nuk vwrteton mbërritjen e saj”, kanë thënë para hetuesve të afërmit e të zhdukurës.

Dilema

Pyetjes për pistën kryesore të hetimit të dosjes, personat që po merren me hetimin, i përgjigjen se asgjë nuk mund të besohet, por gjithçka duhet marrë në konsideratë. Rrëfimi i familjarëve ka çuar dyshime në adresë të shtetasit Agim Musho, bashkëshort i të zhdukurës. Por, ai ka disa prova dhe jo vetëm për t'u shfajësuar, apo për ta larguar veten nga rrethi i të dyshuarve, por për të hedhur dritë mbi ngjarjen. Sipas dëshmive të tij, asgjë nuk ka ndodhur gjatë udhëtimit me traget të dy bashkëshortëve nga Italia drejt Shqipërisë, në datën 16 dhjetor 2004. Ai ka thënë se djali i tij dhe i Irenës, ka mësuar nga punonjwsit e Portit tw Durrësit se emri i nënës së tij ishte te lista e personave të mbërritur, edhe pse vëllai dhe daja i tw zhdukurës, thonë se emri i Irenës nuk është ndodhur në listën e të mbërriturve.

SHBA....

Në këto kushte, hetuesit kanë kërkuar verifikime ndërkombëtare për ngjarjen, pasi, sipas dëshmisë së bashkëshortit të gruas së zhdukur, ajo kishte një leje hyrje për në SHBA. Irena, sipas dëshmisë së bashkëshortit të saj, kishte marrë edhe një shumë parash me vete, e gjithashtu, dy ditë pas zhdukjes së saj, në telefonin e Agim Mushos dhe disa prej personave të afërt me të zhdukurën, kishin mbërritur sinjale telefonike nga një numër me prefiks amerikan. Kjo ndodhte vetëm disa ditë kur, sipas Agim Mushos, bashkëshortja e tij i kishte shfaqur djalit pamundësinë e të jetuarit në familje dhe synimin për t'u larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Numri nga i cili sinjalet po mbërrinin në telefonat e familjes dhe ish-bashkëshortit të Irenës, ishte blerë dy ditë para telefonatave.

Nisja në Itali dhe

mbërritja...

Zhdukja e Irena Selit qëndron diku e fshehur mes bregdetit italian dhe atij të Durrësit. Protagonistët e ngjarjes dhe të afërmit e të zhdukurës, janë të tw njëjtit mendim, sa i përket hipjes së Irenës në traget dhe nisjes së saj për në Shqipëri me bashkëshortin. Mbërritja është momenti kur dy palët ndahen. Të afërmit e të zhdukurës, thonë se ajo nuk ka mbërritur në Durrës, duke e akuzuar Agim Mushon dhe duke lëshuar ndaj tij shigjetat e dyshimit. Por ai vetë, thotë se djali i tij dhe i të zhdukurës, ka konfirmuar në Durrës mbërritjen e nënës së tij, në datën 16 dhjetor me tragetin që vinte nga Italia. Agim Musho thotë se, gruaja e tij është larguar gjatë kohës që ai po merrej me makinën. Ndërsa të afërmit e kundërshtojnë këtë version, me bindjen e vëllait dhe dajës së Irenës, të cilët emrin e saj nuk e kanw parë te listat e të mbërriturve, në portin e qytetit të Durrësit. Më pas, sërish të dy palët thonë se kanë patur disa sinjale telefonike. Por këtij versioni i shkojnë më tej bashkëshorti i të zhdukurës dhe djali i saj. Sipas verifikimeve të tyre, nëpërmjet internetit dhe personave të tjerë të afërt, Irena ndodhet në Los Anxhelos. Atje ajo ka blerë dy ditë pas zhdukjes telefonin nga i cili ka dërguar sinjalet pa fjalë në Shqipëri. Këto sinjale dhe disa biseda të paverifikuara me djalin dhe të afërmit e saj, e kanë çuar pikërisht nw Los Anxhelos të SHBA-ve, vendin e dyshuar ku ndodhet e zhdukura në mënyrë misterioze. T.S.

PRECEDENTI

Zhdukja e Erieta Avdylit

Vëllai i Irenës, së zhdukurës së vitit 2004, i ka shprehur ngjashmëritë e ngjarjes së motrës së tij me një ngjarje tjetër mister të disa viteve më parë. Ngjashmëri, e cila, sipas vëllait të Irenës, duket te versionet e para të ngjarjes dhe mënyra e trajtimit të saj prej organeve të hetimit. Ish-gruaja e shefit të Komisariatit të policisë numër 1 në Tiranë, është zhdukur në vitin 2001, ndërsa për hetuesit gjurmët ishin të dyshimta, aq sa nuk ekzistonin. Ngjarja, e cila mbetet ende mister, ka ndodhur më datë 11 prill të vitit 2000, në Tiranë. Erieta Avdyli, punonjësja e UNICEF-it dhe gruaja e shefit të Komisariatit numër një të Tiranës, Dritan Avdylit, zhduket rreth orës 18.00 të mbrëmjes, pa lënë gjurmë. Pasi del nga zyra, ajo hipën në biçikletë dhe më pas filli i gjithçkaje shkëputet papritur. Për tre vjet me radhë, policia, Prokuroria apo edhe SHISH-i, janë përpjekur të gjejnë fillin e mëparshëm të misterit, por gjithçka ka qenë thuajse e pamundur. Është zbuluar vetëm se natën e zhdukjes, Erieta Avdyli kishte lënë të takohej dhe të bisedonte me të motrën, në shtëpinë e prindërve. Motra e Erietës, një stjuardesë e një prej linjave ajrore, i kishte thënë se do të shkonte me pushime, ndërkaq gruaja 33-vjeçare ia kishte kthyer, duke i pohuar se kishte nevojë të bisedonin. Një muaj më pas, në datën 13 maj të vitit 2003, policia, e cila ende i vazhdonte hetimet intensive mbi ngjarjen, deklaroi se trupi i Erieta Avdylit ishte gjetur në fshatin Romanat të Durrësit. Një fshatar kishte lajmëruar policinë, sapo qeni i tij kishte zbuluar trupin e hedhur në një pirg plehrash, teksa gërmonte me këmbë në afërsi të shtëpisë. Është zbuluar vetëm se natën e zhdukjes, Erieta Avdyli, kishte lënë të takohej dhe të bisedonte me të motrën, në shtëpinë e prindërve. Motra e Erietës, një stjuardesë e një prej linjave ajrore, i kishte thënë se do të shkonte me pushime, ndërkaq gruaja 33-vjeçare ia kishte kthyer, duke i pohuar se kishte nevojë të bisedonin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›