Pesë zyrtarë të arsimit në gjykatë
18/01/2005 Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim dosjen penale në ngarkim të pesë zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit, me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Kjo vepër penale, sipas Prokurorisë, i ka kushtuar arkës së shtetit një dëm financiar në shumën e disa milionë lekëve. Kallëzimi penal në Prokurorinë e Tiranës ndaj pesë zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit, përgjegjës për organizimin e tenderave, është bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, vitin e shkuar. Sipas ekspertëve të këtij institucioni, dëmi i shkaktuar në arkën e shtetit mbërrin shumën e 100 milionë lekëve të vjetra. Kjo shumë është shkaktuar gjatë abuzimeve në dy grupe tenderash për librin shkollor dhe për ndërtimin e mjediseve shkollore dhe atyre të edukimit, që varen nga Ministria e Arsimit. Sipas ekspertëve të KLSH-së, janë vënë re abuzime në tenderat e zhvilluar për restaurimin e 35 objekteve të Ministrisë së Arsimit në të gjithë vendin. Abuzime financiare në shuma të konsiderueshme, janë konstatuar edhe në disa tendera të librit shkollor. Sipas hetuesve të Prokurorisë, tenderat e prodhimit dhe të të drejtave të botimit të teksteve shkollore, përmbajnë shkelje të rënda, me dëme të konsiderueshme financiare. Sipas organit të akuzës, dënimi që do të kërkohet në Gjykatë ndaj pesë zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit do të jetë maksimal, ndërsa Prokuroria shpreson në zbatimin e kësaj kërkese, për shkak të plotësimit të plotë të dosjes me provat e duhura.