E Hënë, 2 Nëntor 2026

Britanikja: ADN nxjerr Tufën fajtor

07/12/2004  TIRAN˖ Një eksperte britanike i jep fund dilemës së ADN-së për të pandehurin Lavdërim Tufa. Eshtë në shkallën superiore e provuar nga analiza shkencore, se i dyshuari është autori i ngjarjes së 29 marsit të vitit të shkuar në "Kartodrom 2000", ku u vra Fatmir Rama, Julian Durishti dhe Kristaq Cami. Anglezja Suzan Pop, e ftuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ka zgjidhur mosmarrëveshjet midis avokatit që përfaqëson Lavdërim Tufën me ekspertët italianë.

Anglezja

Për të bërë këtë zgjidhje, Gjykata e Krimeve të Rënda arriti të bënte një hetim plus. Kështu pas disa javësh, që nga dita e vendosjes për thirrjen e ekspertëve të huaj, dje në sallën e gjyqit arrin nga mbretëria angleze doktoresha e shkencave ligjore në fushën e interpretimit të analizave të ADN-së, Suzan Pop. Ndërsa eksperti i dytë i thirrur nga gjykata, ai italian, ka refuzuar pjesëmarrjen. Një seancë e gjatë gjyqësore, që shtetit tonë i kushtoi afërsisht 3 mijë paund. Shqipëria ka paguar afërsisht 2 mijë paund, ndërsa pjesa tjetër është paguar nga shteti anglez. Seanca e djeshme filloi në orën 13.30 dhe përfundoi në orën 16.00.

Ekspertja

Suzan Pop ishte e prerë në mendimet e saj. Për të bërë një interpretim të saktë të konkluzioneve, ajo tha se ka patur përpara aktin e ekspertimit të ADN-së së Lavdërim Tufës, bërë në Laboratorin Qendror të Policisë Shkencore italiane, nga doktor Ronaldo Biondo. Në aktin e tij të ekspertimit, Biondo ka cilësuar përpuethshmërinë e Tufës në masën mbi 90 për qind. Pra, sipas aktit që ka dalë nga laboratori italian, Lavdërim Tufa mund të konsiderohet si autor i mundshëm i vrasjes së Fatmir Ramës dhe shokëve të tij, në mars të vitit të kaluar, në mjediset e Kartodromit. "Unë në vlerën e ADN-së së përzier që ka dalë nga maska, kam marrë në konsideratë dhe versione të tjera dhe kam parë se individi 1 (që në këtë rast është Lavdërim Tufa), ka kontribuar më shumë në këtë përzierje". Kjo ishte deklarata e parë e ekspertes nga Londra. "ADN-ja e Lavdërim Tufës përputhet me ADN-në e përzierjes së gjetur në sipërfaqen e maskës së gjetur në vendngjarje. Dua të them se mundësia e përpuethshmërisë së një personi tjetër, që nuk ka lidhje me këtë është 1 për bilion". Ekspertja e ishullit mbretëror, duke bërë këtë interpretim, tha se mundësia e fajësisë së Lavdërim Tufës e nxjerrë nga ana e ADN-së së përzierjes është në shkallën superiore. Pop i kujtoi dje mbrojtjes së Tufës, avokatit Ferdinand Doja, se nuk ia lejon ligji që të thotë para gjykatës se i mbrojturi prej tij, është autor i vrasjes. Suzan e ka mbyllur deklarimin e saj duke pohuar se "Për të bërë vlerësimin, unë kam përdorur dy raste. Atë të individit numër 1, që është Lavdërim Tufa dhe përzierjes si dhe individin 1 me një individ tjetër, që nuk ka lidhje. Përfundimi ka qenë i qartë. Lavdërim Tufa përshtatet në shkallën më superiore të mundshme".

Tufa

Lavdërim Tufa është i vetmi që deri tani ndodhet në bankën e të akuzuarve për vrasjen e ndodhur më 29 mars 2003, te Kartodromi, pronar i të cilit ka qenë Fatmir Rama, ose i thirrur ndryshe, Miri i Xhikes. Autori i vrasjes ka qenë i maskuar me një kapuç. Megjithatë, nga akti i ekspertimit, ka rezultuar se autori atë ditë është plagosur. Këtë e vërteton gjaku i gjetur në karikatorin e armës së krimit si dhe njollat e gjakut të përziera me pështymë të gjetura në kapuçin e përdorur si maskë.

Reagim nervoz i të pandehurit

Vetë i pandehuri që ka kundërshtuar aktin e ekspertimit dhe pjesëmarrjen në vrasje, dje ka qenë i nervozuar. Ai kërkonte nga avokati shpjegimin e situatës ku ndodhej. Ndërkohë, Ferdinand Doja, i kërkoi gjykatës një ballafaqim të mundshëm të ekspertes angleze me atë italian. Përgjigjja e ekspertes angleze ishte pozitive. Pyetjes së avokatit se sa është e rëndësishme rezultati i ADN-së në një proces, Suzan Pop iu përgjigj shumë qartë dhe shkurt, "në këtë rast konstatimi është një provë shumë e fortë dhe bindëse". Në shumicën e rasteve, britanikja kundërshtoi pyetjet e avokatit, duke i quajtur ato sugjestionuese.

Anglezja përforcon mendimin e specialistes shqiptare

Në seancën e datës 8 korrik, ekspertja Mimoza Haxhihyseni dha përgjigjen përfundimtare pas interpretimit të aktit të kryer në Itali. "Ju mendoni se elementët e gjetur në kapuç dhe në armë i përkasin të pandehurit Lavdërim Tufa". Kjo është pyetja përfundimtare e bërë nga avokati i Lavdërim Tufës, Ferdinand Doja, në drejtim të ekspertes Mimoza Haxhihyseni, e cila ka ndjekur nga afër ecurinë e analizës së ADN-së. Pyetje që mori përgjigje të menjëhershme dhe të pakundërshtueshme për momentin. "Po, është e vërtetë dhe bindëse. Elementët e gjetur në kapuç dhe në armë i përkasin Lavdërim Tufës dhe, kjo është totalisht e pakundërshtueshme". Kaq iu desh organit të akuzës të përfaqësuar nga prokurori Olsian Çela, që të bëjë ndryshimin e kualifikimit të veprës penale.

Picolo, ekspertët italianë kanë gabuar në rezultate

Ferdinand Doja solli me kërkesë të klientit të tij një ekspert nga Italia. Bruno De La Picolo, për interesa të avokatit kundërshtoi konkluzionet e nxjerra nga ekspertja shqiptare, Mimoza Haxhihyseni. Picolo tha se, mundësia që ADN-ja e Tufës të jetë e përpuethshme me ADN-në e njollave të gjakut të gjetura në vendin e ngjarjes, është shumë më e vogël se sa ajo që përshkohet nga ekspertët italianë. Po kështu, Picolo tha se në laboratorin italian të gjitha aktet e ekspertimit të ADN-së kanë rezultuar të suksesshme, duke përjashtuar si të tillë atë që mban emrin e të pandehurit Lavdërim Tufa. Picolo dha para gjykatës verisonin e tij kundërshtues. Pikërisht për këtë qëllim, trupi gjykues vendosi të sjellë para tij për të qenë i saktë me palët, ekspertë të paanshëm.

Kronologjia

29 mars 2002

Dy persona qëllojnë mbi tavolinën ku ndodheshin Fatmir Rama, Kristaq Cami i njohur si Taqi i Majes, Flamur Rrapaj dhe Ylli Dyrishti. Rama vdes

5 prill 2003

Pas pesë ditësh në reanimacion, vdes Kristaq Cami, i njohur si (Taqi i Majes) dhe i njohur si shok i ngushtë i Fatmir Ramës

18 prill 2003

Ish-Ministri i Rendit Luan Rama deklaron se janë identifikuar vrasësit e Fatmir Ramës dhe se policia po punonte për kapjen e tyre

26 nëntor 2003

Ndalohet Lavderim Tufa, 25 vjeç, banues ne Tiranë, i shpallur në kërkim për një vjedhje të kryer në datën 28 janar të vitit 2001 në Urën Vajgurore

16 dhjetor 2003

Prokuroria thotë se Lavdërim Tufa ishte arrestuar pas ballafaqimit të gjurmëve të tij me rezultatet e Laboratorit të Romës për vrasjen e Fatmir Ramës

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›