E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ibraj, leksion policëve privatë

07/12/2004  Zhvillohet në Tiranë takimi i parë me drejtuesit teknikë të shoqërive të ruajtjes dhe sigurisë publike. Zëdhënësja për shtyp e Policisë së Shtetit shprehet se ka qenë i pranishëm në mbledhje dhe numri 1 i uniformave blu, Bajram Ibraj. Në fjalën e tij, kryepolici ka vlerësuar faktin se është hera e parë që pas legalizimit të kësaj strukture në vitin 1993, që po organizohet një takim i tillë. Ai shtoi se objekti i tij ishte diskutimi mbi zbatimin e detyrimeve ligjore të ndërsjellta prej strukturave vendore të Policisë së Shtetit dhe shoqërive të ruajtjes dhe sigurisë fizike, për çështje të ruajtjes dhe të sigurisë së objekteve për parandalimin e kryerjes së veprave penale ndaj tyre si dhe mendime e propozime për përmirësimin e punës në të ardhmen. "Kemi dhënë liçensa dhe leje për drejtues teknikë për 76 shoqëri të ruajtjes dhe sigurisë fizike të kategorisë 'a', për 304 të kategorisë 'a+b' dhe për 17 të asaj 'c'", vijoi Bajram Ibraj.

Shoqëritë

Aktualisht, në Shqipëri, veprojnë 269 syresh, nga të cilat 23 'a', 232 'a+b' dhe 14 'c'. Drejtuesi saktësoi se detyra e punonjësit e shoqërive private është ruajtja e objekteve si dhe parandalimi i çdo veprimtarie kriminale ndaj tyre. Duke i kthyer në këtë mënyrë në struktura shumë të rëndësishme dhe partnere të pazëvendësueshme të Policisë së Shtetit. Ibraj përmendi efektivat e “OKTAPUS”, “ALBGUARDJA” dhe “Erda”, që kanë ndihmuar në kapjen e autorëve të grabitjeve të ndryshme. Shoqëritë e ruajtjes dhe sigurisë fizike kanë kontribuar edhe në drejtim të grumbullimit të armëve. Gjatë muajit u mblodhën 172 të tilla nga subjektet që ushtrojnë aktivitetin në Tiranë. Megjithë treguesit e kënaqshëm është konstatuar se ka dhe defekte në punën e policive private. Shpeshherë vërehen shkelje në procedurat e punës, dokumentacion dhe neglizhenca apo anomali të tilla. Për të mos mjaftuar me kaq, nuk mungojnë rastet e qarkullimit të policëve privatë me uniformë në rrugët e qytetit, të mbajtjes keq të saj apo tejkalim në konsumimin e alkoolit. "Ka pasur dhe raste kur policët privatë kanë përdorur armët në kundërshtim me rregulloren. Si p.sh., SAJMIR në objektin KATO-VORA. Rast tjetër flagrant të kësaj natyre mund të përmendim atë të KAMBERIA, në Qarkun Shkodrës në Spitalin Rajonal, i cili ka përdorur në mënyrë të kundërligjshme armën e zjarrit ndaj disa shtetasve që kërkonin të vizitonin të afërmit e tyre", përfundoi drejtori i përgjithshëm i Policisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›