E Hënë, 2 Nëntor 2026

Të pandehurit e krimeve të rënda mbushin Burgun 302

17/03/2005  TIRANË- Që dje pasdite Burgu 302 ka filluar të funksionojë si repart paraburgimi për krime të rënda. Të gjithë të pandehurit që janë duke u gjykuar nga Krimet e Rënda, janë transferuar nga Burgu 313 për në Burgun 302. Tashmë, Burgu i Sigurisë së Lartë 302, nuk do të shërbejë i gjithë si strehues i të dënuarve për krime të rënda, por edhe si paraburgim. Toga e shoqërimit me urdhër të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ka bërë lëvizjen e të gjithë të paraburgosurve nga 313-ta. Po kështu toga e shoqërimit ka marrë urdhër që brenda pak kohësh të sjellë në Burgun 302 të gjithë të paraburgosurit që ndodhen nëpër rrethe dhe presin gjykimin nga Krimet e Rënda. Kjo gjë bëhet me kërkesë të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe të Prokurorisë për Krime të Rënda. Që nga fillimi i punës në këtë gjykatë ishte krijuar një amulli në shoqërimin e të pandehurve nga burgu në gjykatë dhe nga komisariatet e rretheve në gjykatë. Grumbullimi i të paraburgosurve që kanë kryer vepra të rënda penale në të njëjtin burg, do të lehtësojë punën e gjykatës dhe të prokurorisë. Deri tani ka patur shumë mungesa të të pandehurve në sallën e gjyqit për shkak të mossjelljes nga komisariatet në rrethe. Ishte ndërhyrja e ministrit të Drejtësisë, Fatmir Xhafa, ajo që bëri grumbullimin e të paraburgosurve në të njëjtin vend. Ndërkohë në Burgun 313-të do të jenë të përqendruar vetëm të paraburgosurit që do të gjykohen nga Shkalla e Parë e gjykimit Tiranë. Në këtë burg janë duke qëndruar edhe disa të pandehur, të cilët presin që vendimi i tyre të marrë formë të prerë. Sjellja e të paraburgosurve për krime të rënda në Burgun 302, ka bërë që pjesa më e madhe e të dënuarve të transferohej në burgje të sigurisë së lartë, si Peqin, Lezhë, Burrel. I pari që la dhomën e tij nga Burgu 302, ishte Gazmend Braka, i pasuar më pas nga "vipat", Arben Bërballa, Arben Grori, Elidon Kotorri dhe Agim Shurbi (Pepa). Braka u sistemua në Burrel në të njëjtin burg me rivalin e tij Zani Çaushin, ndërsa katër të tjerët u dërguan në burgun e Peqinit. Në Burgun 302 kanë mbetur edhe disa të dënuar pa u transferuar. Largimi i tyre do të bëhet në ditët në vazhdim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›