E Hënë, 2 Nëntor 2026

Qëlloi policinë, kërkon ekspertim psikiatrik

17/03/2005  Mbrojtja pretendon se i pandehuri vuan nga çrregullime mendore

TIRANË - Sokol Vuçeta, më 29 prill të vitit 2004 iu përgjigj me zjarr thirrjes së policisë, që vajtën në shtëpi për të ekzekutuar vendimin e gjykatës pas caktimit të masës së sigurimit burg pa afat. Është nga Shkodra, banues në katin e katërt të një pallati në lagjen "Skënderbej". Së bashku me vëllain e tij, Luigj Vuçeta, në fillim të prillit të vitit të kaluar i morën një sasi të hollash shtetasit Nikolin Xhaferri. Për këtë vepër penale të parashikuar nga neni 109/1 KP, Gjykata e Shkodrës caktoi për vëllezërit masën e arrestit burg pa afat në mungesë. Nga informacionet policia zbuloi se, Sokol Vuçeta ndodhej në banesën e tij. Kështu, në datën 29 prill, policët Astrit Ago, Eduard Rusta, Pjerin Lazi, Nik Çudi, Paulin Zhibani dhe Çesk Kaçi, morën detyrën për të ndaluar të pandehurin. Sapo mbërrijnë në banesën e të kërkuarit, policia troket në derë dhe lajmërojnë se kanë ardhur për të ekzekutuar vendimin e gjykatës. Nga brenda derës është ndier zhurma e mbushjes së armës. Policët menjëherë janë larguar nga dera nëpër shkallë. I pandehuri ka qëlluar në drejtim të derës së shtëpisë së tij tre herë. Vetëm pas ndërhyrjes së disa komshinjve, Sokol Vuçeta pas disa orësh qëndrese, arriti të bjerë në duart e policisë. Për të pandehurin janë duke u zhvilluar dy procese njëkohësisht. Në Shkodër, së bashku me vëllanë që është ende në kërkim, po gjykohet për veprën penale të gjobëvënies, ndërsa në Gjykatën e Krimeve të Rënda po gjykohet për veprën penale të vrasjes së kryer në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë. Avokati mbrojtës i të pandehurit kërkoi bashkimin e gjykimit për të pandehurin, kërkesë e cila nuk është marrë parasysh nga gjykata. E vetmja kërkesë e avokatit që u pranua është kryerja e aktit të ekspertimit psikiatriko–ligjor. Avokati pretendoi se klienti i tij vuan nga çrregullime mendore dhe në këto kushte dhe vepra penale duhet të shihet se në cilat kushte është kryer. Vetë i pandehuri Vuçeta që ndodhej në sallën e gjyqit, nuk tha asnjë fjalë. Gjatë gjithë kohës miratonte kërkesat e avokatit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›