Brixhit Bardo leter kryebashkiakut te Perrenjasit
Atë që ka dashur ta bëjë dikur me meshkujt Brixhid Bardo, kërkon ta bëjë kryetari i bashkisë së Përrenjasit me qentë e rrugës. Por për Brixhid Bardo, një aktiviste e njohur për mbrojtjen e kafshëve, kjo është një gjë e tmerrshme, ndaj dhe i është drejtuar me një letër kryebashkiakut të Përrenjasit.
“Jam e tmeruar nga ajo që mësova, që ju doni të vrisni qentë që vërtiten rrugëve të qytetit tuaj. Si është e mundur të marrësh një vendim të tillë, ndërkohë që keni një rol etik dhe një përgjegjësi para qytetarëve që ju kanë dhënë votën dhe para fëmijëve të tyre”, theksohej në letër.
Vetë kryetari i bashkisë është informuar për letrën, por thotë se nuk ka mënyrë tjetër për të shmangur rrezikun e qenve të rrugës.
“Është e vërtetë që ka marrë një email nga një shoqatë për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, por dua të them që përrenjasi nuk e ka komoditetin të mbajë qentë e rrugës. Kam marrë dhjetra telefonata nga qyteteratë dhe sidomos nga shkollat 9-vjeçare”, shprehet kreu i kësaj bashkie.
Aktorja me famë botërore i kërkon kryetarit të bashkisë që të jetë më bashkëpunues dhe të mos prishë imazhin e Shqipërisë.
“Ju kërkoj që të bashkëpunoni me shoqatën e mbrojtjes së kafshëve ARA dhe t’i jepni qytetit tuaj një reputacion dinjitoz dhe të popullatës së saj dhe jo ta njollosni me një praktikë skandaloze që prish imazhin e të gjithë Shqipërisë”, shkruhej në letër.
Por kryetari i bashkisë duket i vendosur që siç thotë ai të mbrojë jetën e qytetarëve.
“Jam në një situatë të vështirë dhe kam lënë afat deri në datë 18, më pas jam i detyruar të mbroj jetën e qytetarëve. Kam urdhëruar asgjesimin e qenve të rrugës”, sqaroi kryetari i Bashkisë së Përrenjasit.
Duke iu përgjigjur letrës që Brixhid Bardo dërgoi në adresë të tij, ky i fundit thotë se në qytet janë vendosur lajmërime edhe për orarin se kur do të do të bëhet ekzekutimi i qenve rrugaçë.