Berisha Kemi nivelin fiskal me te ulet ne Europe
Duke e krahasur vendin tonë me një Zvicër me det, Kryeministri i vendit ftoi investitorët cekë në në forumin e biznesit Shqipëri-Çeki, që të jenë pjesë e investimeve të rëndësishme në shumë fusha.
“Kushdo që vjen me avion shikon nga dritaret male të larta dhe një det të thellë blu, kur zbret në tokë e kupton se Shqipëria është një Zvicër për tu ndërtuar ndaj ju ftoj seriozisht të investoni në turizëm. Kush investon në zonat malore 8 vjet pa taksa, ata që zgjedhin brigjet kanë rrethana më lehtësuese, nëse toka është publike do ta marrin me 1 euro", vuri në dukje Kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se niveli më i ulët fiskal në Europë është në Shqipëri dhe po konsiderohet në vijim ulje e mëtejshme e nivelit të taksave.
“Ju siguroj se në Shqipëri do gjeni klimë dhe mbështetje që t’i shndërroni investimet tuaja në histori suksesi. Qeveria do ulë taksat, liria fiskale ndër më kryesoret në lirinë e tregut. Shqipëria vend i vogël në hartë por ka potenciale të jashtëzakonshme”, nënvizoi Berisha.
Nga ana tjetër kryeministri cek vlerësoi potencialet që ofron Shqipëria dhe siguroi rritjen e investimeve çeke në vendin tonë.
Gjithashtu, kryeministri çek theksoi vendosmërinë e qeverisë së tij për të përkrahur Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Europian.