Kosova në Këshillin e Sigurimit më 3 gusht, formati mister
Autoritete e Kosovës janë ftuar të jenë të pranishme në takimin e Këshillit të Sigurimit, i cili do të mblidhet posaçërisht për të, më 3 gusht.
Ajo do të përfaqësohet nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, edhe pse ende nuk dihet se cili do të jetë formati i mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit. Takimi po mbahet me kërkesë të Rusisë. Kërkesa për mbajtjen e kësaj mbledhjeje vjen pak kohë pasi GJND-ja ka vlerësuar si legjitime shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Vlora çitaku, tha se: “Ende nuk ka informata të sakta rreth formatit të seancës. Kjo nuk është një seancë e rregullt e Këshillit të Sigurimit, por një seancë e jashtëzakonshme, e cila është thirrur nga Rusia. Megjithatë, ministri Hyseni është në Nju Jork dhe ne kemi kryer të gjitha aspektet procedurale, kemi deponuar kërkesa dhe tash do të varet nga formati i seancës së pjesëmarrjes dhe pjesëmarrja e ministrit Hyseni”. Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Belgjikës, Steven Vanackere, vendi i të cilit ka Presidencën e Bashkimit Evropian, tha në BBC se nuk janë shuar të gjitha gjasat, që të arrihet një konsensus me Beogradin për një projekt-rezolutë të përbashkët në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ai tha se BE-ja dëshiron të arrijë një pajtueshmëri për disa ndryshime në tekstin e projekt-rezolutës serbe, që çojnë kah logjika e një rezolute jo-konfrontuese në Asamblenë e Përgjithshme. Qeveria e Serbisë ka dorëzuar në OKB një projektrezolutë. Ajo kërkon hapjen e një dialogu me Prishtinën për të gjitha çështjet e hapura. Ministri i Jashtëm belg tha për BBC, “se nuk janë të dobishme idetë për bisedime rreth statusit të Kosovës”, por vlerësoi se duhet të vendoset një dialog politik mes Prishtinës e Beogradit për çështje praktike me interes të përbashkët.