E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brokaj: Mospërfillja po merr karakter kriminal

 

Kardiologu i njohur Sabit Brokaj dhe njëkohësisht nënkryetar i LSI-së, pasi u njoh dje me gjendjen shëndetësore të deputetëve grevistë të urisë, kërkoi vlerësimin real të gjendjes së deputetëve. Ai denoncoi mospërfilljen e pjesës tjetër të politikës, që duhet të gjente zgjidhje për këtë situatë. “Nuk mund të pritet e të pranohet një zgjatje e një greve të tillë, e cila tashmë në aspektin mjekësor dhe njerëzor, mospërfillja dhe mosvlerësimi i kësaj greve po merr karakter kriminal. Për mua, pothuajse tani zbehet aspekti politik dhe ngrihet si dominim aspekti njerëzor. Tashmë, kërcënohet jeta e deputetëve tanë dhe kur kërcënohet jeta e deputetëve, e cilitdo njeriu, i cili është kërcënim i paralajmëruar, i njohur e i deklaruar, ata që nuk realizojnë zgjidhjen e krizës, tashmë kanë përgjegjësi. Kanë përgjegjësi, jo për një zgjidhje politike të thjeshtë, por për jetën e njerëzve. E ritheksoj edhe njëherë, që jeta e deputetëve është mjaft e kërcënuar që prej këtij momenti”, tha Brokaj. Këtë deklaratë kardiologu i njohur e bëri pas vizitës që bëri në ambientet e grevës në sallën e parlamentit. Sipas tij, gjendja e deputetëve është mjaft e rënduar. Brokaj e konsideroi gjendjen e grevistëve një kërcënim për jetën e tyre. “Mua më habit fakti, se si nuk po ndërgjegjësohet dhe të reagohet ndaj këtij kërcënimi real i kësaj situate shëndetësore, kur dihet që edhe në persona, të cilët mbajnë dietë strikte, domethënë me ushqim të kufizuar, jo me ndalesë të plotë të ushqimit për të ulur peshën, ndodhin vdekje të papritura dhe kjo është e njohur”, tha Brokaj. Ai tha dje se sipas ekzaminimit mjekësor, në dy –tre deputetë vërehet hipertension, ulje tensioni, që mund të bëhet shkas për të pasur probleme, sidomos kur kalohet nga pozicioni i shtrirë në këmbë dhe më pas, më rëndë akoma. Gjithashtu Brokaj vërejti se ka filluar të vërehet çrregullimi i glicemisë, pra ulja e sheqerit në gjak, si pasqyrim i mosmarrjes së sheqernave. Sipas tij, të gjitha këto shfaqje tregojnë se janë prishur ekuilibrat në organizëm dhe kur prishen këto ekuilibra në organizëm, kërcënimi është imediat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›