E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva e deputetëve, provë e qytetarëve

Zef Preçi 

Tre vjet me parë, ndërsa qeveria Nano po largohej nga pushteti dhe dorëzonte qeverisjen e vendit “me çelësa në dorë” ...pakkush mori mundimin të konstatonte risinë që sillte ky proces dhe faktin se përmes atij akti kishte filluar një faqe e re në historinë politike të Shqipërisë postdiktatoriale: rotacioni demokratik i pushtetit. Në atë kohë nuk munguan edhe zërat që lidhnin përgjegjshmërinë institucionale të z. Nano si kreu i maxhorancës politike që po largohej në respekt të vullnetit të shprehur të qytetarëve shqiptarë për t’i hapur rrugën konfigurimit të një maxhorance të re të drejtuar nga z. Berisha, gjoja në këmbim të zgjedhjes së afërt të tij në krye të shtetit. Pak muaj më vonë, kur kjo alibi politike ra së bashku me teoritë konspirative që e sollën. Ndërsa kur z. Meta në krye të LSI-së, një forcë të re politike të majtë të krijuar prej tij mbas shkëputjes nga PS-ja tradicionale mbështeti pa rezerva rikonfirmimin e z. Rama në krye të Bashkisë së Tiranës, shumë vetë besuan se një erë e re politike po frynte në vend. Kështu u duk se në radhët e klasës politike po shuhej gradualisht koncepti i partisë “së madhe” dhe sateliteve “të vegjël”, të cilët, për hir të së vërtetës ishin krijuar kryesisht nga “të mëdhenjtë” si një instrument për të kontrolluar situatën dhe për të minimizuar pretendimet për pushtet të pavotuar të “të vegjëlve” e pabindur. D.m.th vendin e politikës megalomane të “të mëdhenjve” po e zinte gradualisht realpolitika: respekti reciprok e profilizimi i partive politike në përputhje me filozofinë mbi të cilën funksionojnë dhe shkallën e besimit politik të dhënë atyre nga qytetarët. Krijimin e kësaj situate e ndihmoi edhe fakti se mbas ardhjes në krye të PS-së, z. Rama u angazhua gjerësisht në promovimin e figurës së vet si një lider i “tipit të ri”. Në të vërtetë, ai u përqendrua në marrjen nën kontroll të kësaj force politike, duke braktisur edhe ato principe të qeverisjes demokratike të një partie moderne për të cilën pati luftuar aq fort dhe publikisht pak vite më parë. Të tilla parime ishin: pranimi i fraksioneve politike dhe përfaqësimit të tyre në të gjitha nivelet e hierarkisë përfaqësuese të partisë, futja e parimit “një anëtar, një votë” etj. Mjerisht, sa për shkak të inkriminimit gjatë ushtrimit të pushtetit tetëvjeçar të PS-së të disa prej drejtuesve të lartë të saj, aq edhe për shkak të mosbesimit të vetë z. Rama ndaj “gardës së vjetër” të lidershipit të PS-së, krahas me braktisjen e këtyre parimeve ai ndërmori “marshimin e madh” – “dialogun me Shqipërinë”. Ky proces mediatiko-politik gjithsesi pati një dobi: njohjen e ndërsjellë të z. Rama dhe anëtarësisë së kësaj partie. Shkurt z. Rama arriti të marrë “frenat e pushtetit” brenda PS-së, por kjo u shoqërua me dobësimin e rolit politik të gjithë opozitës në procesin demokratik të vendit, madje edhe me zbehjen përfundimtare edhe të imazhit të vetë z. Rama si “njeri i aksionit” edhe në Bashkinë e Tiranës. E në tërë këto procese roli i “lobingut politik” të firmave të ndërtimit (deri edhe në identifikimin e “misionarëve” të radhës në drejtimin e organizatave vendore të PS-së) mbetet determinant. Madje, ky rol, në bashkëpunim edhe me krahun ekonomik të maxhorancës se z. Berisha përvetësoi shumë shpejt edhe përpjekjet për modifikimin e vetë sistemit kushtetues dhe elektoral të vendit, që kulmuan me ndryshimet në dokumentin themeltar të shtetit më 21 Prill 2008, fill mbas tragjedisë së shpërthimit të Gërdecit. Këto ndryshime u kryen në kushtet e mungesës së plotë të transparencës ndaj qytetarëve, pa debatin e nevojshëm publik për një çështje kaq themelore të mbarë jetës së vendit, dhe u kushtëzuan dukshëm edhe nga zvogëlimi i mbështetjes publike të të dy forcave kryesore të vendit (PS-PD). Pesha e tyre e përbashkët elektorale e testuar në zgjedhjet vendore të 18 shkurtit 2007 kishte zbritur nën 43%. Ndërsa heshtja e “ndërkombëtarëve” të pranishëm në sallonet diplomatike dhe politike të Tiranës nuk lidhet aq me “çudinë” që sollën ndryshimet kushtetuese, se sa me faktin se misioni themelor i tyre ishte dhe mbetet po ai i fillimit: ndjekja e zhvillimeve të brendshme në kontekstin e marrëdhënieve e të problematikës që krijon për vendet e tyre respektive, për BE-në dhe për ShBA-në, si dhe nxitja e reformave demokratike dhe proceseve politiko-institucionale integruese të Shqipërisë. D.m.th ndryshimet kushtetuese të Prillit 2008 u trajtuan prej tyre ashtu siç ishin në të vërtetë – “një çështje e brendshme e politikës shqiptare”, një qëndrim ky krejtësisht i natyrshëm për sa kohë që demokracia jonë vazhdon të jetë funksionale. Personalisht besoj se me këtë rast mori edhe një goditje dërrmuese edhe “kultura e vartësisë” e një pjese të klasës politike shqiptare, një kulturë e rrënjosur dukshëm sidomos në radhët e shtresës së intelektualëve. I vetmi politikan koshient për të braktisur “qysh në krye të herës” këtë kulturë ishte dhe mbeti z. Berisha, “pranimi” ndërkombëtarisht i të cilit mbas 3 Korrikut 2005 ishte edhe shenja më domethënëse e “ndryshimit të madh” për të konsoliduar këtë vetëdije politike të tij, e cila nuk u lëkund as nga tronditja që shkaktoi tragjedia korruptive e Gërdecit më 15 mars të këtij viti. Ndërsa në kampin opozitar ky moment u përjetua si një shkrirje akujsh apo ndërtim urash bashkëpunimi të “bashkëvuajtësve” (term i njohur dhe i përdorur herët nga z. Berisha). D.m.th si një instrument për të shkëmbyer humbjen e mbështetjes publike ndaj segmentit të së majtës të përfaqësuar nga z. Rama me zgjatjen e sundimit të z. Berisha, duke shpresuar te konsumimi publik, politik dhe ndërkombëtar i paevitueshëm të pushtetit të tij. Mjerisht mendoj se këtu gabojnë rëndë të gjithë ata që besojnë ende se pikërisht ky konsumim do të mundësojë një rotacion normal e të pashmangshëm të pushtetit në vitin 2009. Kjo jo aq për shkak të inkriminimit të gjerë të pushtetit dhe kapjes së tij nga klanet qeverisëse aktuale (sepse në përmasa të tjera kjo ka pasë ndodhur edhe më parë - kujtoni periudhën 1992-1997). Por, në radhë të parë, të faktit se inkriminimi i sotëm i pushtetit ka sjellë brenda një kohe relativisht të shkurtër një akumulim kolosal të parave të pista – vendosjen nën kontrollin e tyre të segmenteve të gjera të pushtetit dhe kërcënimin në rritje për pjesën e shtetit të mbetur ende jashtë këtij kontrolli, njëkohësisht me paralizimin e zërit publik e mediatik të opozitës politike të vendit, deri-diku edhe nxjerrjen (me ose pa vetëdije) të saj jashtë garës politike. Do të ishte një naivitet i madh të mendohej se diplomatët apo përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare të akredituara të Tiranë do të luajnë rolin e opozitës apo të shoqërisë civile në balancimin e pushteteve dhe mbrojtjen e interesave themelore të asaj pjese të popullsisë që po paguan kostot e të ashtuquajturave “reforma” të ndërmarra nga z. Berisha, apo që thjesht nuk besojnë më në sloganet mbi ndershmërinë e tij dhe të elitës së oligarkëve të rinj që po instalohen me shpejtësi në të gjitha qelizat e jetës ekonomike e politike të vendit. Në prag të fillimit të fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009, vendit iu servir një Kod elektoral që synon të ezaurojë problemet e trajtuara më sipër, në radhë të parë humbjen e “kredos” politike të dy forcave politike dhe ruajtjen e monopolit të tyre në zhvillimet e ardhshme të jetës së vendit. Sepse duhet të jetë e qartë për cilindo: edhe atëherë kur vendi të jetë pjesë e BE-së, Kushtetuta nuk ndryshon, d.m.th do të jetë kjo që është sot. Ndërsa “dredhitë” e mosndryshimit të saj (refuzimi i përpjekjes referendare të lënë në gjysmë të rrugës nga LSI-ja) dhe Kodi Zgjedhor mbi bazën e Kushtetutës së ndryshuar që pritet të votohet brenda pak ditëve nuk bëjnë gjë tjetër, veçse në vend të testimit përmes zgjedhjeve të mbështetjes publike të secilit formacion politik, duke thyer kështu edhe monopolin e dyshes PS-PD, mundësojnë zëvendësimin e partive që kanë elektorat (LSI - majtas dhe PDK - djathtas) me parti satelite që kanë humbur misionin e tyre historik, përkatësisht me PSD dhe PR, por duke garantuar pikërisht këtë monopol. Por a mund të funksionojë ky skenar, sado siguri të kenë hartuesit e tij dhe “byroist-et” e rinj që presin “të përjetësohen” e pse jo edhe “të fosilizohen” (proces që tashmë është evident) në krye të partive kryesore politike shqiptare? Vështirë se mund të jepet një përgjigje shteruese e kësaj pyetjeje. Greva e këtyre ditëve e 10 deputetëve të partive politike parlamentare të majta e të djathta dhe mbështetja e solidariteti publik, politik, intelektual, diplomatik dhe qytetar në rritje që po sjell ajo, me gjithë rezervat periferike rreth saj të artikuluara nga aktorë të veçantë të jetës politike të vendit (të paguar apo thjesht sepse ashtu mendojnë), nuk mund të mos kontribuojë në zgjimin qytetar mbi domosdoshmërinë për të ushqyer demokracinë dhe integrimin euro-atlantik të vendit çdo ditë; mbi rreziqet që i kanosen pavarësisë dhe legjitimitetit të institucioneve demokratike të tij; mbi rrezikun e kthimit pas të proceseve demokratike dhe cenimin e lirive themelore të njeriut, duke filluar me lirinë e shprehjes dhe të zgjedhjeve etj. E kjo ndodh kur vendin e kërcënon kriza financiare dhe ekonomike më e madhe e shekullit që ka prekur vendet më të fuqishme të botë; kur qeveria e z. Berisha e shpall triumfalisht largimin e FMN-së për shkak të mbarimit të mandatit të saj për t’i hapur rrugën rritjes së borxhit publik dhe huave tregtare pa dhënë llogari gjëkundi para qytetarëve, borxhe që do të rëndojnë si një gur në qafën e taksapaguesve shqiptarë për disa breza etj. Në këtë kuptim, fati politik personal i dhjetë deputetëve apo disa partive duket fare i parëndësishëm përballë spirales në të cilën është futur vendi në këtë periudhë. Se në rrugën e gjatë dhe të mundimshme të ndërtimit të demokracisë dhe të institucioneve të ekonomisë së tregut, fatet individuale e humbasin rëndësinë e vet kur vendin e kërcënon autoritarizmi – pushteti i “njëshit”, pavarësisht nëse ky mund të jetë “i djathtë i vetëshpallur” apo “i majtë përtej të majtës dhe të djathtës”; kur institucionet i pushton klanizimi, politizimi dhe konflikti i interesave duke flakur çdo shenjë të meritokracisë e profesionalizmit; kur rrezikojnë dukshëm të shkëputen urat midis qytetarit dhe pushtetit të shpallur si i dalë nga vota e tij; kur është vështirë të provosh ndonjë lidhje midis qytetarëve dhe shërbimeve apo të mirave publike që prodhohen me taksat e tatimet e paguara tyre. Ndoshta kjo është edhe sfida më madhe e kohës sonë: një ndeshje e egër dhe e pabarabartë nga njëra anë midis forcave regresive, mentaliteteve dhe interesave të lobeve të fuqishme të biznesit të dyshimtë me para e pushtet (oligarkisë), në qeveri dhe në opozitë, të etura për sundim në dëm të ndërtimit të shtetit ligjor dhe nga ana tjetër, e aspiratës së pandryshuar demokratike dhe europiane të qytetarëve shqiptarë. Ja përse solidarizimi me grevën e deputetëve dhe kauzën e tyre të drejtë nuk është çështje interesash për një karrige në parlamentin shqiptar, që do të prodhojnë zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Më shumë se kaq është një çështje qytetarie, parimesh të demokracisë dhe një mjet universal për konsolidimin e saj. Në këtë kuptim, kjo grevë nuk është prova e 10 deputetëve, por prova e secilit prej nesh, prova e të gjithë qytetarëve të këtij vendi, preludi i legjitimitetit ose jo të zgjedhjeve të 2009-ës. Ajo është edhe fillimi i dhënies përgjigje të çështjes themelore të shtruar në fillim të këtij shkrimi: rotacionit demokratik dhe pa dhunë të pushtetit; fillimit mbi këtë bazë të rindërtimit të institucioneve demokratike të vendit; ndalimit të kapjes së shtetit dhe frenimit të dështimit të tij të shprehur në ndëshkimin politik (me votë) dhe ligjor (vënies në funksionim të drejtësisë) të Gërdecit dhe tragjedive të tjera që qeverisja aktuale pjell çdo ditë në vendin tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›