Grevistët, dy propozime për zgjidhje
Aristir Lumezi
Deputetët e grevës së urisë propozojnë dy mënyra për zgjidhjen e krizës politike. Përmes një letre drejtuar Presidentit Topi, Kryetares së Parlamentit Topalli, Kryeministrit Berisha, kryesocialistit Rama, Ambasadorit Amerikan Uidhërs, Ambasadorit të KE, Lohan dhe Ambasadorit të OSBE-së në Tiranë Bosch propozojnë dy opsione për të gjetur zgjidhjen e krizës dhe daljen nga greva e urisë. “Ju propozojmë që të bëjmë një depolitizim të plotë të gjithë komisioneve të administrimit të zgjedhjeve, duke zgjedhur gjithë anëtarët e tyre nga shoqëria dhe administrata civile, jo anëtarë të forcave të ndryshme politike. Në këtë mënyrë, të gjitha partitë bëhen të barabarta para ligjit. Përbërja politike e administratës zgjedhore, kur mbetet si opsion nuk është aspak çështje teknike”, thuhet në letrën e deputetëve të grevës së urisë. Gjithashtu në mospërmbushje të këtij opsioni, ata japin dhe një rrugë tjetër zgjidhjeje. “Nëse nuk pranohet ky propozim për të depolitizuar gjithë procesin e administrimit të votave, atëherë t’i japim mundësinë të gjitha partive parlamentare apo grupimeve të tyre në koalicione zgjedhore, të përfaqësohen në mënyrë të barabartë në komisionet e administrimit të votave dhe zgjedhjeve”, ishte propozimi i dytë i tyre, duke hedhur poshtë pretendimet e disa përfaqësuesve politikë për kosto të lartë të komisioneve, ku përfshihen të gjitha partitë politike, deputetët grevistë propozojnë që “shteti mos të marrë përsipër pagesën për këto komisionerë, por partitë të gjejnë vullnetarë për t’i përfaqësuar ato pa shpërblim. Në këtë mënyrë nuk i harxhojmë taksapaguesve shqiptarë asnjë qindarkë për komisionet e administrimit të zgjedhjeve”.
Letra
Në letrën e tyre deputetët e përshirë në grevën e urisë tregojnë qëllimin e këtij akti sublim. “Ne, grupi i Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët prej disa ditësh kemi filluar një grevë urie në selinë e Kuvendit tonë, dëshirojmë t’Ju drejtohemi Juve me një shqetësim të jashtëzakonshëm për fatet e demokracisë dhe zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri. Zgjedhjet e vitit 2009 janë sfida kryesore që ka Shqipëria në rrugën e saj drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe NATO”, thuhet në letrën e deputetëve drejtuar krerëve të shtetit dhe ambasadorëve. Sipas tyre, “reforma zgjedhore dhe Kodi i ri Zgjedhor i dalë si produkt i bashkëpunimit të ngushtë midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste sjellin pengesa serioze në zhvillimin e demokracisë në vend, dhe realizimin e standardeve të kërkuara për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri”. Ata shprehen se me Kodin e ri Zgjedhor, Shqipëria bën hapa prapa në demokraci dhe standardet e zgjedhjeve. “Për herë të parë në historinë e Shqipërisë demokratike komisionet e administrimit të zgjedhjeve monopolizohen nga dy parti politike, dhe ndërtohen mbi kriteret e mbylljes dhe përjashtimit”, thuhet në letër. Kërkesës së tyre, deputetët i referohen edhe qëndrimit të OSBE dhe ODIHR dhe rekomandimeve të tyre pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2005. “Kodi i ri Zgjedhor duhet të sigurojë një administrim më pluralist dhe gjithëpërfshirës në administrimin e zgjedhjeve, një administrim që nuk kontrollohet dhe dominohet nga dy partitë kryesore politike”, thuhet në letrën e deputetëve të grevës së urisë.