E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ymer Tola, urgjent në spital, probleme për Brahon e Gjinin

 

BLEDAR HOTI

Gjendja e 10 deputetëve grevistë sa vjen e përkeqësohet. Deputeti demokristian, Ymer Tola, si pasojë e gjendjes së rënduar shëndetësore është detyruar të lërë grevën për t’u dërguar me urgjencë në spital.Në ora 20:45, autoambulanca është drejtuar për në Spitalin Ushtarak. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Ymer Tola dyshohet se ka një hepatit viral dhe është dërguar për riekzaminim në Spital nr.1 Nënë Tereza. Analizat e gjakut të kryera ndaj deputetit demokristian Tole kanë rezultuar me shumë probleme, kjo ka bërë që mjekët të kërkojnë një ekzaminim më të plotë të tij dhe më të specializuar. Deputeti demokristian, Ymer Tola ka shfaqur probleme të uljes së nivelit të sheqerit, hipoglicemisë. Ndërkohë që ai ka vuajtur kohë më parë edhe me problemet e mëlçisë. Gjatë ditëve të grevës është ankuar. Të kontaktuar me deputetët grevistë, mësohet se dyshimi i Ministrisë së Shëndetësisë nuk mund të qëndrojë. I kontaktuar me telefon mbrëmë, kreu i PS-91, Petro Koçi theksoi se “ai vuante nga mëlçia prandaj ka pasur edhe probleme”. Në ora 22:00, Koçi theksoi se gjendja e deputetëve të tjerë është stabilizuar, duke përjashtuar Frrok Gjinin dhe Spartak Braho.
Gjendja e Gjinit
Pas 6 ditësh grevë, situata e deputetëve është mjaft e rënduar, më shumë probleme shfaqin Spartak Braho, Frrok Gjini dhe Petro Koçi. Mjekët shprehin se pas gjashtë ditësh greve, priten shqetësime serioze të grevistëve. Tre deputetët e tjerë që kanë probleme serioze shëndetësore janë Spartak Braho, Frrok Gjini dhe së fundmi Petro Koçi. Deputeti demokristian Gjini ka probleme të rënda shëndetësore, pasi ka ndaluar marrjen e ilaçeve dhe të ujit të pushim. Ai ka ka marrë vendim ekstrem të ngujimit, duke mos pranuar të marrë asgjë si ndihmë për shëndetin e tij. Mësohet se gjendja e tre deputetëve, Koçi, Gjini dhe Braho po mbahet nën kontroll të vazhdueshëm. Nisur nga kjo situatë e përkeqësuar e deputetëve të ngujuar, Ministria e Shëndetësisë ka ngritur grupe pune me mjekë, reaminatorët e Qendrës Spitalore të Tiranës, duke mos u fokusuar vetëm te puna e mjekëve të përgjithshëm të Urgjencës së Tiranës. Paraditen e sotme mësohet se një ekip i specializuar me laborantë, të shoqëruar nga nëndrejtori i QSUT-së, Xhelal Draçini kanë shkuar në vendin ku zhvillohej greva për kryer disa analiza gjaku me deputetët që kanë shfaqur më shumë probleme. Vetëm tre prej deputetëve kanë pranuar që të kryejnë analizat e gjakut, Spartak Braho, Ymer Tola dhe Petro Koçi. Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar deputetit të LSI-së, Spartak Braho që të dalë nga greva e urisë, pasi gjendja e tij shëndetësore po përkeqësohet nga dita në ditë. Deputeti Braho nuk ka pranuar që të dalë nga sallë, duke kërkuar që të vazhdojë grevën e tij. Deputeti i PS91, Petro Koçi ka pasur shqetësime, ulje të nivelit të sheqerit. Gjatë kësaj kohe, sipas informacioneve, mësohet se Koçi ka dhembje në pjesën e djathtë të shpatullës. Braho, sipas mjekëve ka dhembje në gjoks, si dhe ka luhatje të mëdha të gleucemisë, që shkon nga 30-270. Ndërkohë që deputetët e tjerë nuk kanë probleme siç kanë tashmë katër deputetët e tjerë, edhe pse kanë luhatje të tensionit. Ndërsa mësohet se ka pasur probleme në momentin e hyrjes për herë të parë të reanimatorëve, pasi ata nuk janë lejuar të hyjnë nga forcat e rendit dhe të Gardës. Kjo ngjarje ka ndodhur në orën 10:00, kur dy reaminatorët nuk janë lejuar që të futen brenda. Sipas mjekut që ndjek nga afër deputetët grevistë, Petrit Vargu, një gjë e tillë erdhi si rezultat i mos organizmit nga ekipi mjekësor. Vetëm pas tre orësh është realizuar futja e reaminatorëve. Pas gjashtë ditësh grevë nuk ka asnjë reagim nga ana e partive politike, as nga Partia Demokratike dhe as nga Partia Socialiste. Në një kohë që Kodi i ri Zgjedhor mund të votohet ditën e hënë, ose ditën e enjte nga Kuvendi.

Petro Koçi
Kreu i PS-91, Petro Koçi prej dy ditësh ka pasur probleme me hipertensionin. Ai ka pasur luhatje të mëdha tensioni dhe ulje të ndjeshme të nivelit të sheqerit. Sipas mjekëve, Koçi ka pasur dhe dhimbje në pjesën e djathtë të shpatullës por në darkë gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar. Gjithsesi gjendja e tij po mbahet nën kontroll të vazhdueshëm nga ana e shërbimit mjekësor që është instaluar pranë tyre.

Frrok Gjini
Demokristiani ka marrë vendim ekstrem për të mos marrë asnjë lloj mjekimi dhe serumi, si dhe të mos pijë asnjë pikë ujë. Ai ndodhet në gjendje të rëndë, pasi ka filluar edhe grevën e etjes. Ka pasur shumë probleme me tensionin. Analiza e gjakut e kryer nuk ka dalë pozitive. Ka probleme me hipertensionin, probleme me sheqerin, ulje të glukozës në gjak. Por dhe pse ka probleme serioze, deputeti demokristian nuk pranon të marrë asnjë mjekim.

Spartak Braho
Deputeti i LSI-së Spartak Braho është diabetik, çka do të thotë që është me koronare të ngushtuara, të paktën të provuar në skaner deri në 60 për qind të arteries koronare, ku kërcënohet nga lëvizjet e sheqerit në gjak, nga hipoglicemia, për të qenë i saktë nga ana mjekësore, natyrisht nga stresi, nga hipertonia, nga e cila vuan dhe mjekohet. Ai ka dhimbje të forta në gjoks dhe probleme gleuceminë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›