E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva

Edmond Tupja 

Teoricieni politik francez Georges Sorel (1847-1922), mendimi i të cilit, i frymëzuar nga teoritë e Marksit e të Niçes, ndikoi te sindikalizmi revolucionar por u përdor gjithashtu nga lëvizjet më reaksionare, në veçanti nga fashizmi italian, ka shkruar ndër të tjera: “Nëpërmjet grevave, proletariati afirmon ekzistencën e tij”. Po të ishte ende gjallë, por me kusht që të ndiqte zhvillimet e sotme të jetës politike shqiptare, ai me siguri do ta plotësonte mendimin e vet të mësipërm duke shtuar: “dhe, nën shembullin e tij, edhe politikanët”. Pavarësisht arsyeve të sipërfaqshme e të nëndheshme që e kanë shtyrë, këto kohët e fundit, një grup deputetësh shqiptarë të hyjnë në grevë urie, duke rrezikuar deri edhe jetën, pavarësisht gatishmërisë së tyre për t’i shkuar asaj deri në fund, unë vlerësoj se është guxim i madh, madje i madhërishëm të ndërmarrësh një grevë të tillë, guxim që meriton t’u heqësh kapelen atyre që veprojnë kështu duke rrezikuar, po e përsëris, të vdesin në moshë ende të re.
Gjithsesi, nga përvoja e gjatë greviste e partive dhe e sindikatave europiane të majta, mund e duhej të kishin përfituar deputetët grevistë para se të ngujoheshin në sallën e Kuvendit; po të ishin dokumentuar me durim në këtë drejtim, ata do ta kishin kuptuar me kohë se, në të mirë të idealit dhe të qëllimeve të tyre, do të vlente të bënin disa lloje të tjera grevash duke i përshkallëzuar ato para se të mbërrinin te greva e urisë, pasojat e së cilës mund të jenë tejet të rënda. Kështu, ata mund ta kishin filluar me atë që quhet “grevë surprizë”, pra, që fillon pa paralajmërim; në rast mossuksesi të saj, mund të kishin vazhduar me atë që quhet “grevë e shkërmoqur”, d.m.th. që ndërpret veprimtarinë e ndërmarrjes apo të institucionit (në rastin tonë të Kryeministrisë, të Kuvendit, të Presidencës etj.) me ndalesa apo ngadalësime të punës në një fazë, në një stad të dhënë; në rast mossuksesi të përsëritur, mund të kishin këmbëngulur duke u hedhur në atë që quhet “grevë rrotulluese” dhe që prek me radhë gjithë sektorët e ndërmarrjes apo të institucionit (në rastin tonë të Kryeministrisë, të Kuvendit, të Presidencës etj.), p.sh. që nga rojet deri te kryesia; në rast mossuksesi të ripërsëritur, mund të kishin nisur atë që quhet “grevë në vendin e punës” dhe që qëndron në praninë pasive të punonjësve në ndërmarrje apo institucion (në rastin tonë në praninë pasive të ministrave në Kryeministri, të deputetëve në Kuvend, të Presidentit në Presidencë etj.); në rast mossuksesi të stërripërsëritur, mund të kishin filluar atë që quhet “grevë e zellit” e që konsiston në zbatimin me imtësinë më të madhe të udhëzimeve e të rregullave edhe më të thjeshta në mënyrë që të bllokohet a të paralizohet plotësisht ecuria e punës (në rastin tonë, veprimtaria e Kryeministrisë, e Kuvendit, e Presidencës etj.); në rast mossuksesi kryeneç e recidivist, mbetet ajo që po bën aktualisht grupi i deputetëve vetëmohues, pra, greva e urisë, me pasojat që dihen e që mund të jenë dramatike, për të mos thënë tragjike.
Aq më tepër që tragjike më duket edhe vetë prejardhja e fjalës “grevë”. Jam gati i bindur se po ta dinin këtë prejardhje, një pjesë e deputetëve harakirianë do të ishin menduar mirë para se ta fillonin grevën në fjalë. “Faire grève, être en grève” (të bësh grevë, të jesh në grevë), janë dy shprehje që u shfaqën në gjuhën frënge së pari në vitin 1805 për t’u rishfaqur rreth dyzet vjet më vonë dhe që kishin kuptimin “Të rrish në sheshin e Grevës duke pritur të gjesh ndonjë punë” (ashtu siç rrinë sot, në Tiranë, te monumenti i Partizanit të Panjohur ata që kërkojnë pikërisht punë). Por ç’na qenka ky sheshi i Grevës? Fjalori “Petit Robert 1” i gjuhës frënge na mëson se kështu quhej asokohe në Paris sheshi i Bashkisë, buzë lumit Senë, ku të dënuarit pësonin torturën e tmerrshme të rrotës ose thjesht vareshin. E kobshme kjo etimologji, apo jo?
Sidoqoftë, marr guximin t’u sugjeroj grevistëve deputetë se, ndryshe nga ç’mund të mendojnë ata, greva e urisë nuk është mjeti i fundit demokratik për luftuar në mënyrë paqësore për realizimin e një ideali apo qëllimi. Ekziston, ndonëse praktikohet shumë më rrallë, edhe një lloj greve tjetër, veçse, fatkeqësisht, ajo është më fatale se greva e urisë. Po shpjegohem: Dihet që njeriu mund të qëndrojë disa javë pa ngrënë, por pa pirë ujë, ai mund të jetojë vetëm pesë ditë, e shumta një javë. E kam fjalën, pra, për grevën e etjes; askush në Shqipëri, të paktën deri tani, nuk është futur në një grevë të tillë, e cila mund ta trondisë opinionin vendës e të huaj shumë më thellë sa ajo e urisë. A do ta kishin këtë guxim grevistët deputetë? A do t’ia vlente vërtet një grevë e tillë?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›