Brokaj: Vendimi i Metës për bashkëpunim me Berishën, i nxituar
Sabit Brokaj është shprehur kundër bashkëpunimit të Ilir Metës me Sali Berishën. Sipas tij, se ky vendim duhej të ishte institucional dhe të merrej pas analizës së një bilanci real. Ai tha se qëndrimi i tij kundër nuk ka të bëjë me ndonjë rikthim në PS, por që ky si vendim duhet të ishte marrë pasi të kishte përfunduar plotësisht procesi i numërimit, në përputhje me analizën e bilancit real, karakterit të këtyre zgjedhjeve, raporteve me krahët, me kundërshtarët dhe natyrisht, të kishte karakterin e plotë institucional.
Sipas Brokajt, kjo çështje nuk është shtruar në diskutim në mbledhjen e konventës së LSI, megjithëse ai nuk ka qenë i pranishëm. Brokaj ka bërë të ditur se është larguar efektivisht nga politika, kur hoqi dorë edhe nga mandati i deputetit. Por prania e tij në LSI ka vazhduar, megjithëse jo aktive. Më është kërkuar nga drejtuesit që unë të jap kontributin tim në LSI deri në zgjedhje, në mënyrë që të mos dukej si largim. Për këtë, unë nuk mund t'i jepja vetes të drejtën që t'i kërkoja llogari kryetarit të LSI apo t'i imponoja një qëndrim. Kjo i takon vendimmarrjes së forumeve, ka pohuar Brokaj, duke hedhur poshtë dyshimet se mos qëndrimi i tij në lidhje me këtë marrëveshje ka të bëjë me ndonjë rikthim në PS apo pozicion atje. Unë thjesht nuk jam dakord me këtë lëvizje dhe kaq, është shprehur Brokaj, duke shtuar se çështja e qeverisjes Meta-Berisha duhej trajtuar mirë, pastaj se çfarë ishte në dobi të LSI-së apo anëtarësisë së saj dhe të vendit, apo cilat variante ishin më të mirat, kjo duhej të caktohej vetëm në rrugë institucionale.