E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja skema e socialistëve për të përzënë Edi Ramën nga PS

Kryesocialisti ruan selinë socialiste me policët e bashkisë
Partia Socialiste ka hyrë në një kolaps  të shkaktuar nga humbja e zgjedhjeve të 28 Qershorit. Sakrificat e mijëra socialistëve për fitoren e zgjedhjeve të 28Qershorit u shpërdoruan nga miopia politike e aventurierit politik Edi Rama. Tashmë aventura politike e Edi Ramës u konvertuat në dëshpërim për qindra mijëra socialistë të cilët ishin përgatitur shpirtërisht të riktheheshin në vendet e punës dhe përfitonin  të mirat materiale që të sjell pushteti. Irritimi i socialistëve  vjen nga fakti që, ishte makutëria e tij për pushtet të pakufishëm që i çoi në këtë humbje të pakufishme. Tashmë socialistët dhe të majtët e kuptuan se ishte politika agresive e Edi Ramës ajo që solli shpërbërjen e të majtës në këto zgjedhje. Duke dashur të nxjerrë jashtë loje Ilir Metën dhe Fatos Nanon, Edi Rama përbuzi faktorin e bashkimit për interesat e tij personale.
Justifikimi i vazhdueshëm i kryesocialistit Edi Rama për humbjen e zgjedhjeve dhe mosdorëheqja e tij nga drejtimi i Partisë Socialiste ka irrituar socialistët, të cilët nga ana e tyre po përgatitin terrenin për largimin me dhunë të tij. Burime të sigurta pranë PS bëjnë me dije se gjatë këtyre ditëve është hartuar skenari Rama ik, i paralajmëruar prej ditësh nga gazeta SOT. Sipas këtyre burimeve, mësohet se një pjesë e mirë e socialistëve, të indinjuar nga humbja e thellë që Rama i shkaktoi të majtës, por edhe nga kryeneçësia e tij për të mos dhënë dorëheqjen, janë organizuar për ta përzënë një herë e mirë atë nga PS. Në këtë mënyrë, militantë të PS, titullarë, anëtarë dhe përfaqësues të saj, do të nisin fillimisht me kërkesë llogarie në strukturat vendore, duke kërkuar shkarkimin e kryetarëve të PS në rrethe. Më pas, mësohet se militantët e PS do të mësyjnë në selinë rozë që ta përzënë Ramën, duke kërkuar zëvendësimin e tij. Tashmë socialistët janë koshientë për dallimin mes dy liderëve të fundit të PS, Rama dhe Nano. Janë vetë socialistët që tashmë kanë kuptuar se nga kush duhet të udhëhiqen, nga një lider historik si Nano apo një pseudopolitikan i katapultuar në politikë si Rama. Kjo tregon dhe planin e socialistëve për ta zbuar përfundimisht kreun aktual Rama, dhe për ta zëvendësuar atë me Nanon. Kryesocialisti Rama i tmerruar nga një lëvizje e tillë, ka marrë masa duke rrethuar selinë e PS me policë bashkiakë, të cilët ruajnë non stop këtë godinë. Në PS tashmë po konfigurohen dy lëvizje, ajo Majko, Mejdani dhe Malaj, si dhe lëvizja e kryesuar nga Ben Blushi. Që të dyja po përpiqen të organizojnë skemat e mundshme për largimin e Ramës nga drejtimi i partisë, me hir a me pahir nga ana e këtij të fundit. Brenda PS duhet thënë se nuk mungojnë edhe zërat e hapur kundër kryesocialistit Rama, por ky i fundit po përpiqet me çdo kusht ti ketë sa më larg dhe të mos i marrë parasysh. Një gjë të tillë ai e tregoi edhe dje, në mbledhjen e kryesisë së PS. Gjatë kësaj mbledhjeje, Rama kishte dhënë urdhër që të mos lejoheshin dy kundërshtare të forta të tij, Eva Allushaj dhe Edlira Haxhiymeri. Nga burimet brenda PS, bëhet e ditur se Rama kishte mësuar nga përkrahësit e tij, se dy kundërshtaret e tij kishin vendosur që tia kërkonin dorëheqjen  Ramës në sy dhe përpara të gjithë anëtarëve të kryesisë. Për të shmangur këtë incident, i cili në të vërtetë dyshohej se mund të ndizte edhe anëtarë të tjerë të kryesisë për një kërkesë të tillë, Rama kërkoi që dy kundërshtaret e tij të mos ishin pjesëmarrëse në këtë mbledhje zie për të.    
Policët bashkiakë ruajnë Ramën në PS
Tashmë që të gjithë i janë vënë kundër, kreu i PS po reziston me të gjitha mënyra për ta mbajtur me dhunë drejtimin e partisë. Ashtu siç i ka hije një diktatori, Rama po tregon se jo vetëm që nuk ka minimumin e qytetarisë për institucionin e dorëheqjes, por se është i aftë të personalizojë dhe të vërë në shërbim të vetes gjithçka i është besuar edhe si kryebashkiak. Policia Bashkiake, e cila fillimisht u përdor në protestat artificiale të organizuara nga vetë Rama në Fier, tashmë është instaluar pranë selisë rozë. Që me fillimin e fushatës, Rama e ka harruar totalisht rolin e tij si kryebashkiak, dhe të gjitha strukturat e këtij institucioni i ka kthyer në shërbim të PS. E gjithë  administrata e bashkisë është vënë në shërbim personal të Ramës gjatë fushatës, gjatë prishjes së procesit të zgjedhjeve, por edhe tashmë që gjithçka ka përfunduar në disfavor të tij, edhe pse nuk ka kurajën për ta pranuar. E gjithë godina e selisë rozë ruhet rrethe  rrotull nga policët bashkiakë, pasi Rama ka kuptuar planin që socialistët synojnë ndaj tij. Por skema e përgatitur nga socialistët, duket se do të marrë udhë pavarësisht përpjekjeve të mundimshme dhe të kota të Ramës për të ruajtur pozicionin në PS. Dhe Rama e ka kuptuar se tashmë mbetet vetëm çështje ditësh kur Rama të zbohet nga militantët socialistë, dhe drejtimin e partisë ta marrë me shumë mundësi lideri historik i së majtës, Fatos Nano.      

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›