Brokoli dhe lulelakra, “aleatë” kundër kancerit të gjirit
• Shumë fruta dhe perime: ky është “sekreti” që mbron nga kanceri i gjirit.Të paktën ky është përfundimi i një studimi të kryer nga një grup shkencëtarësh amerikanë, të publikuar para pak ditësh në “American Journal of Clinical Nutrition”, i cili është bazuar në të dhënat e një studimi të kryer te rreth 6 mijë gra kineze.Shkencëtarët kanë fiksuar vëmendjen në lidhjen e mundshme që ekziston mes konsumimit të perimeve kruçifere (brokoli, lakër e bardhë e lulelakër) dhe rrezikut për kancer të gjirit. Nga të dhënat e mbledhura nga studimi, është parë se konsumi i rregullt dhe i lartë i lulelakrës kineze dhe rrepave të bardha, (perime të zakonshme në Kinë, lidhej direkt me incidencë më të pakët të karcinomës së gjirit, sidomos te gratë në periudhën e post-menopauzës dhe mbartëse të dy kopjeve të një varianti të genit GSTP1, që lidhet me neoplazinë. Nuk ka dyshim që merita i përket disa substancave që ndodhen në to dhe quhen “isotiocianati”: bëhet fjalë për substanca që janë në gjendje të kryejnë veprime të shumta dhe pozitive, siç është luftimi i stresit oksidativ që dëmton qelizat dhe indet, duke penguar në këtë mënyrë rritjen e tumoreve dhe favorizojnë “apoptosinë” (vdekjen e qelizave të sëmura). Por jo vetëm kaq. Kanë aftësi interesante për të ulur rrezikun për shfaqjen e kancereve hormono-vartëse. Me një fjalë, këto përbërës janë substanca anti-kancerogjene, që nëse merren në sasi të mirë është një mënyrë e mirë për të parandaluar kancerin.Sang-Ah Lee, përgjegjës i ekipit të studimit të “Vanderbilt University” të Neshvillit, ka shpjeguar se gratë që merrnin sasitë më të mëdha të perimeve, kishin gjysmën e riskut për t’u prekur nga tumori i gjirit në krahasim me ato që konsumonin sasi më të pakta. “Studimi duhet interpretuar si një konfirmim i mëtejshëm i faktit se dieta mund të ulë ndikimin që ka predispozicioni gjenetik në vlerësimin kompleks të riskut të kancerit”, ka nënvizuar Jay Fowke, një prej autorëve të studimit.