FSHF takim me ‘rebelët’,arrihet një kompromis
• Presidentët e disa klubeve të Kategorisë Superiore që kërkonin Asamble të Jashtëzakonshme të FSHF kanë rënë dakord që të lejojnë skuadrat e tyre të zbresin në fushë sot për të luajtur javën e 24-t të kampionatit shqiptar.Jetmir Halilaj Akordi është arritur pas një takimi mes përfaqësuesve të këtyre klubeve dhe drejtuesve më të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit. Pas diskutimesh që zgjatën rreth dy orë, krerët e klubeve që bojkotuan ndeshjet e djeshme u bindën që të lejonin skuadrat e tyre në fushë. Mbledhja e djeshme që u zhvillua në Federatë mes përfaqësuesve të klubeve dhe FSHF-së nisi rreth orës 17:30 dhe zgjati dy orë. Fillimisht drejtuesit e disa klubeve janë shprehur të revoltuar për situatën e krijuar dhe i kanë kërkuar presidentit të FSHF-së që t’u jepte alternativa se si mund të zgjidhej kjo çështje. Me tone të ashpra kanë folur Valter Fushaj, presidenti i Vllaznisë dhe Nexhat Bizhdili, presidenti i Besës. Ata kanë thënë se kanë investuar për klubet e tyre dhe nuk pajtohen me një situatë të tillë. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe presidenti i Shkumbinit, Xhavit Isamili, i cili i kanë kërkuar Dukës që të bëheshin përpjekje maksimale për të arritur në një kompromis me FSHF-në për të nxjerrë futbollin shqiptar nga kjo situatë. Akordi i arritur mes FSHF-së dhe disa klubeve që kërkonin mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme është i përkohshëm, pasi mesjavën e ardhshme do të ketë një tjetër takim me drejtuesit e të gjitha klubeve të Superligës dhe krerëve të FSHF-së. “Pas disa diskutimeve që patëm arritëm në një marrëveshje që të luhet java e 24-t nesër dhe të gjitha ekipet të zbresin në fushë, – tha pas mbledhjes presidenti i Vllaznisë, Fushaj. – Megjithatë ne do të vazhdojmë të këmbëngulim për një zgjidhje të menjëhershme të situatës, me qëllim që futbollit shqiptar t’i hiqet dënimi i FIFA-s. Ne kemi investuar shumë për klubet tona dhe nuk mund të tolerojmë që ato të rrënohen në këtë mënyrë. Gjatë ditëve të ardhshme do të zhvillojmë një takim edhe më përfaqësues të MTKRS-së, për të marrë vesh se kush është shkaktari i vërtetë i kësaj krize dhe se si mund të zgjidhet ajo. Asambleja Pas takimit të djeshëm, presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, tha se Federatës i është kërkuar që të mblidhet Asambleja e Përgjithshme e Jashtëzakonshme. “Ne iu kërkuam drejtuesve të FSHF-së mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme, por për këtë problem do të diskutohet edhe në mbledhjen e ardhshme”, bëri të ditur presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj. Duka Ndërkaq pak minuta më vonë, kreu i FSHF-së, Armand Duka, tha se deri tani klubet nuk kanë bërë asnjë kërkesë zyrtare për zhvillimin e një Asambleje të Jashtëzakonshme. “Deri tani nuk na ka ardhur një kërkesë e tillë zyrtarisht, por nëse do të na vijë, jam i bindur se KE do ta shqyrtojë atë dhe do të marrë një vendim brenda të gjitha rregullave statusore të FSHF-së”, tha Duka. Vlerësimi i FSHF Presidenti i Federatës e ka cilësuar si hap pozitiv faktin që klubet kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të lejojnë skuadrat e tyre që të dalin në fushë sot. “E kuptoj shqetësimin e tyre, sepse ata kanë investuar para dhe presin ditë më të mira se këto. Mendoj se vendimi i sotëm është një hap pozitiv. Jam i bindur se zgjidhja e kësaj krize nuk vjen nga bojkoti”, tha Duka.Reagimi i Fushajt“Ideja për të vazhduar sërish kampionatin ishte e jona, megjithatë do të ketë edhe një takim tjetër me FSHF-në dhe do të diskutohet sërish, sepse nga të dyja palët pretendohet se nuk kanë faj duke akuzuar njëra-tjetrën. Do të ketë takime të tjera, madje me të gjithë presidentët e Superligës dhe pasi të arrijmë në konkluzione të qarta, do të marrim një vendim përfundimtar”.