Tropojë, gjendet e vetëvrarë me pushkë 15-vjeçarja
• Dy vetëvrasje shënohen brenda një dite. Një 15-vjeçare nga një fshat i Tropojës i ka dhënë fund jetës për shkaqe ende të pazbardhura, ndërsa një 49-vjeçar nga Korça në kushtet e depresionit nervor.KORÇE / TROPOJESipas policisë së Tropojës, për ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatit Gri të Komunës Bujan, forcat e saj janë lajmëruar pak pas orës 13:00 të ditës së djeshme. Viktima, L.Dedmarku, vetëm 15 vjeçe, me pushkën e shtëpisë kishte qëlluar veten, duke mos lënë asnjë shenjë pse e kishte ndërmarrë këtë veprim ekstrem. Një grup hetimor është nisur drejt fshatit, me qëllim marrjen në pyetje të familjarëve të saj, të cilët paraprakisht kanë pohuar se nuk ndodheshin në shtëpi kur adoleshentja ka kryer vetëvrasjen. Pak orë më parë, në mëngjes, në Lagjen 3 të Korçës, një tjetër vetëflijim u shënua. Vasil Vangjeli u gjet i vetëvarur nga i vëllai i tij, në banesën që ndanin bashkë. Mbi tavolinën e bukës u gjet një letër lamtumire e shkruar nga viktima. Në të me dorë të dridhur kishte shkruar këto fjalë: "Falmëni që zgjodha këtë rrugë!", por pa mundur të japë shpjegim mbi motivet. Në bazë të dëshmisë së të vëllait të dhënë pas ngjarjes në polici, viktima vuante prej kohësh nga depresioni. Për këtë arsye, pasi punoi pak vjet doli në kemp e me pensionin që merrte si i sëmurë përballonte jetesën. Prej 1 muaji ai nuk ndihej mirë, ndaj i vëllai tregonte kujdes për të mos e shqetësuar askush. Deri në orët e vona të pasdites kishte qëndruar me familjen e të vëllait. Mandej ishte shprehur se do të shkonte për të fjetur pak në dhomën e tij. Kur vëllai ka shkuar ta thërrasë ai ka parë 49-vjeçarin të vetëvarur në tavanin e dhomës. Ndonëse e kanë transportuar në spital, ai nuk ka mundur të shpëtojë nga vdekja, e cila sipas mjekëve të urgjencës e kishte marrë disa orë më parë. j.gj/j.h