Brown, Berishës: Riemërimi juaj, moment vendimtar për Shqipërinë
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Gordon Brown, dhe ai Spanjës, Jose Luis Rodriguez Zapatero, i uruan dje Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, rizgjedhjen e tij në krye të qeverisë shqiptare. Kryeministri anglez theksoi: "Reforma në drejtësi dhe progresi i qëndrueshëm në ndalimin e korrupsionit janë tashmë përparësi urgjente nëse Shqipëria do të përmbushë standardet e Bashkimit Evropian". Sipas Brown-it, riemërimi si Kryeministër pas zgjedhjeve të 28 qershorit, thekson se "ky është një moment vendimtar për Shqipërinë, si anëtarja më e re e NATO-s dhe aplikuese për statusin e vendit kandidat për BE". "Është e rëndësishme që qeveria e re të tregojë me shpejtësi përkushtim ndaj axhendës së gjerë të reformave dhe shpresoj që qeveria juaj të drejtojë përpjekjet për angazhimin e të gjithë politikanëve dhe partive politike shqiptare në politikën e dialogut dhe veprimit për të stimuluar reformën. Si një mik i vjetër i Shqipërisë dhe një mbështetës i fortë i perspektivës suaj euroatlantike, ne jemi të gatshëm të mbështesim axhendën tuaj të reformave", - citohet mesazhi i Kryeministrit anglez. "Ne gjithashtu presim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Ne kemi ndërtuar një bashkëpunim të fortë në luftën kundër krimit të organizuar, si në nivelin politik ashtu edhe atë operacional. Ndjekja e kësaj lufte është në interesin tonë të përbashkët dhe unë shpresoj që bashkëpunimi ynë i ngushtë do të vazhdojë dhe do të zgjerohet gjatë mandatit tuaj të ri", - thuhet në mesazhin e Kryeministrit Brown. Kurse në urimin e tij, Kryeministri Zapatero shprehet: “Dëshiroj t’ju transmetoj gatishmërinë time personale, si dhe të qeverisë së Spanjës për të vazhduar forcimin dhe thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona”.