Bruksel, Kukan: Zgjedhjet vendimtare, e ardhmja varet nga standardet
BRUKSEL - Brukseli i kujton klasës politike shqiptare se mbarëvajtja, standardet dhe pranimi i rezultatit i zgjedhjeve të 23 qershorit do të përcaktojnë qëndrimin që do të mbahet ndaj Shqipërisë, si një vend që pret dritën jeshile drejt BE-së. Nisur nga kjo, Brukseli u kërkon partive dhe politikanëve shqiptarë që t’i vlerësojnë zgjedhjet e 23 qershorit si vendimtare për perspektivën evropiane të vendit. Eduard Kukan, Kryetar i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, i cili ndjek me vëmendje zhvillimin e fushatës elektorale apeloi dje për konsensus mes pozitës dhe opozitës që t’i hapin rrugën integrimit të Shqipërisë në BE. “Imazhi i Shqipërisë, e ardhmja e vendit, e ardhmja e procesit të integrimit evropian do të varet shumë nga këto zgjedhje: si do organizohen ato, cila do të jetë ecuria dhe si do të pranohen rezultatet e tyre nga forcat që marrin pjesë në këto zgjedhje. Pra, unë mendoj se kjo është plotësisht në përgjegjësinë e politikanëve, nëse ata janë me të vërtetë të interesuar për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Sigurisht, ata thonë se janë për këtë, por duhet që edhe me sjelljen e tyre të jenë të përgjegjshëm e në përputhje të plotë me këtë rrugë, duke pasur si kryesore në punën e tyre interesat e popullit e të vendit”, - tha Kukak për “Albanian Screen”. I pyetur se si i komenton tensionet politike në Shqipëri edhe gjatë këtyre zgjedhjeve, Kukan shprehet se edhe për zgjedhjet, partitë duhet të punojnë së bashku dhe se për këtë shembujt pozitivë nuk mungojnë. Ai iu referua për këtë kohës kur partitë kanë punuar së bashku për liberalizimin e vizave. “Jam në dijeni të konflikteve që kanë atje partitë politike, por po i kthehem prapë asaj që thashë. Kemi gjithashtu edhe shembuj të tjerë. Për shembull, këto parti që nuk kanë besim te njëra-tjetra kanë punuar, megjithatë, së bashku për procesin e liberalizimit të vizave. Pra, ky shembull tregon se partitë politike edhe në Shqipëri mund të punojnë së bashku dhe të kenë një sjellje të përgjegjshme, kur është fjala për të ndihmuar njerëzit. Pra, kështu është e mundur të arrihen rezultate, ndryshe kjo do të ishte e pamundur. Ne jemi duke ndihmuar dhe këshilluar. Unë jam i bindur se të gjitha institucionet evropiane duan të shohin progres në Shqipëri, por ai mbetet për t’u bërë nga vetë partitë dhe politikanët shqiptarë”, - tha Kukan.
PETER STANO
Peter Stano, zëdhënësi i Komisionerit për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fyle i ka apeluar klasës politike shqiptare të kalojë nga fjalët në vepra sa i takon rrugëtimit drejt familjes europiane. “Riorganizimi politik në Shqipëri nuk do të ndryshojë pritjet e Brukselit, që kërkon ndaj Tiranës zyrtare të kalojë nga fjalët në vepra. Në këtë fazë dëgjuam dhe deklarata, por kemi nevojë për rezultate”, - tha Stano në një prononcim të tij për mediat pak ditë më parë. Në funksion të këtij qëndrimi ai apeloi sërish nevojën e konsensusit mes klasës politike me qëllim miratimin e tri ligjeve të vendosura si kusht për marrjen e statusit kandidat. “Fokusi kryesor është veçanërisht te arritja e konsensusit politik ndërpartiak për axhendën europiane dhe progresi në reformat e integrimit në frymën e bashkëpunimit e dialogut konstruktiv. Në këtë kontekst, zgjedhjet e qershorit do jenë shumë të rëndësishme. Ne e kemi thënë shpesh që dy ligjet dhe rregullorja e Kuvendit duhet të aprovohen me konsensusin e partive politike në Parlament. Komisioneri Fyle e ka përsëritur disa herë jo vetëm në Bruksel, por edhe gjatë vizitës në Tiranë, se të mbash referendum për 3 ligjet nuk është mënyra e duhur për të krijuar konsensusin e nevojshëm për aprovimin e tyre”, - tha Stano.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)