E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e pagave për prokurorët, Halimi: Sot drafti në Parlament

TIRANE - Ministria e Drejtësisë pritet të dërgojë sot në parlament një draft/ligj ku parashikohet rritja e pagave të prokurorëve. Lajmi bëhet i ditur nga ministri Halimi, i cili ka zgjedhur të komunikojë me mediat përmes rrjetit social “Facebook”. Sipas Halimit, pagat më të larta për aktorët e drejtësisë, do të kenë impakt në rritjen e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies.
“Nesër (sot) në parlament, pagat e prokurorëve rriten me 20 për qind. Pagë jo më e vogël se 1 milion lekë në muaj për prokurorët e Shkallës së Parë. Pagë jo më pak se 1 milion e treqind mijë lekë për prokurorët e Apelit dhe Krimeve të Rënda të Shkallës së Parë. Pagë jo më pak se 1 milion e katërqind mijë lekë për prokurorët e Krimeve të Rënda të Apelit”, - thekson kreu i dikasterit të Drejtësisë. Në draftligj parashikohet gjithashtu se çdo prokuror që ka një vjetërsi prej 25 vjetësh përfiton pagën e prokurorit më të lartë, edhe në rast se nuk do të ketë mundësi të promovohet për shkak të mungesës së vakancave në institucione.

Ministri thekson se reforma e rritjes së pagave do të prekë më shumë se 1 mijë prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore në vend. Pak javë më parë, ministri Halimi propozoi të rriten pagat e gjykatësve në vend, me të njëjtin argumentim, që do të ulet ndjeshëm korrupsioni në sistemin e drejtësisë. Në fakt, në të gjitha raportet e ndërkombëtarëve, korrupsioni në radhët e gjyqësorit apo prokurorisë, perceptohet si shumë i lartë. Ndaj reforma në sistemin e drejtësisë, nisur që nga rritja e pagave, siguria e gjykatësve dhe prokurorëve, e për më tepër mekanizmi në përzgjedhjen dhe emërimin e tyre, shihet si një nevojë adekuate.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›