E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bruksel, flamuri shqiptar ngrihet në selinë e NATO-s

 

adi shkembi

Shqipëria zyrtarizon anëtarësimin në NATO me ngritjen e flamurit tonë përkrah flamujve të 27 vendeve të tjera anëtare. Ceremonia në Bruksel ka koinçiduar me 70-vjetorin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste në 7 prill 1939. Ndërsa dje Shqipëria zyrtarizoi aleancën me bllokun më të fuqishëm ushtarak të globit. Ka qenë pikërisht ora 09.45 e mëngjesit të djeshëm ku nën ritmet e himnit tonë kombëtar, dy ushtarakë shqiptarë kanë ngritur flamurin i cili duke përfituar edhe nga rendi alfabetik ishte pranë atij të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në përfundim të himnit shqiptar, radha i erdhi flamurit kroat, që u bë kështu edhe flamuri i 28-të anëtar i Aleancës.
Berisha
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap de hop Sheffer tha në fjalën e tij gjatë ceremonisë se hyrja në NATO e Shqipërisë dhe Kroacisë, përbën një shembull inkurajues për të gjithë vendet që ndjekin të njëjtin objektiv dhe bëjnë të njëjtin udhëtim. Kryeministri Sali Berisha theksoi se gjatë këtyre viteve Shqipëria ka ndryshuar dhe nga vendi i krimit të organizuar sot ka tregues më të ulët të kriminalitetit se disa vende të tjera të NATO-s dhe BE-së. gjithashtu kreu i qeverisë bëri të ditur se një vit më parë Shqipëria u vizitua nga 2.7 milion vizitorë, ndërkohë që rritja ekonomike në vitin 2008 ishte ndër më të lartat në kontinent. “Reforma të thella kushtetuese dhe institucionale, me frymë të plotë konsensusi të paparë, kanë ndodhur këto katër vite. Forcat tona të armatosura po shkojnë drejt një ushtrie profesioniste; kemi një buxhet mbi 2% të PBB-së dhe po aftësohen për të marrë pjesë në të gjitha misionet e NATO-s”, u shpreh kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij. kreu i ekzekutivit tha se anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancë është dita më e madhe për vendin tonë pas shpalljes së pavarësisë. “Këtu, në selinë e NATO-s, krahas flamujve më krenarë të vendeve më të fuqishme dhe të lira të Aleancës. Për këtë flamur dhe për kombin që ai përfaqëson kjo është dita e lavdisë sime të madhe pas ngritjes së tij ditën e pavarësisë së Shqipërisë. Flamuri kombëtar është një ndër flamujt shtetërorë më të vjetër në Evropë. Ai që nga koha e Skënderbeut, prijësit legjendar të shqiptarëve, pra, nga mesi i viteve 1400 deri ditët e sotme, i ka prirë shqiptarët në të gjitha përpjekjet e tyre për liri dhe ekzistencë”, theksoi Berisha.
Festa e 5 prillit
Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij kroat, Ivo Sanader, kreu i qeverisë u ndal gjithashtu edhe te mitingu i organizuar të dielën pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Sipas Berishës interesimi i madh i treguar atë ditë tejkalonte çdo parashikim. “Pasi u ktheva nga Strasburgu, të nesërmen Tirana ishte në festë, por çfarë feste! Kurrë ndonjëherë nuk kam parë gëzim të atillë në sytë e fëmijëve, të të rriturve, të rinjve, të rejave, të moshuarve, siç kam parë në sheshet dhe rrugët e Tiranës, në datën më 5 prill, teksa festonin anëtarësimin e vendit të tyre në NATO. Gëzimi dhe entuziazmi tejkalonte çdo parashikim. E vërteta ishte se kjo vinte nga respekti, dashuria dhe ndjenja e sigurisë së tyre, të një kombi që kishte vuajtur në tërë historinë e tij, më shumë se çdo vend tjetër për sigurinë, paqen dhe stabilitetin”, vijoi më tej kreu i ekzekutivit. 

NATO, protokollet u ratifikuan brenda vitit
26 vendet anëtare të NATO-s ratifikuan në më pak se një vit protokollet e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancë. Pas marrjes së ftesës së këtyre dy vendeve në samitin e një viti më parë në Bukuresht në Rumanisë, dhe pas firmosjes së protokolleve në korrik të vitit të kaluar, brenda muajit janar të gjitha vendet i dhanë OK në parlamentet dhe senatet e tyre këtij dokumenti duke i hapur rrugën anëtarësimit të Shqipërisë.

Anëtarësimi, 724 mijë euro çdo vit
Me anëtarësimin në NATO, Shqipëria do të rrisë në 350 numrin e ushtarëve në Afganistan. Gjithashtu qeveria shqiptare do të angazhohet me dërgimin e 15 mjekëve dhe infermierëve në Afganistan si dhe do të kontribuojë me fonde për ndërtimin e gjashtë shkollave fillore dhe dy shkollave të mesme. Në të njëjtën kohë çdo vit Shqipëria do t’i paguajë aleancës 724 mijë euro, si kuotë anëtarësimi si dhe buxheti për ushtrinë duhet të jetë çdo vit 2% e PBB-së.

Çekia: Zgjerimi i BE-së, përparësia jonë
Kryetari i Komisionit për Kushtetutën dhe Çështjet Ligjore të Parlamentit çek, Marek Brenda tha dje gjatë një takimi me Presidnetin topi se zgjerimi i BE-së është përparësi e presidencës ceke. “Përparësia e presidencës çeke të radhës është pikërisht përmbushja e synimit të zgjerimit dhe integrimit të vendeve të reja, gjithmonë pasi të jenë plotësuar të gjitha standardet e kërkuara, standarde, për të cilat vendi ynë është në rrugën e mbarë të përmbushjes me sukses”, tha Brenda.

Sot flamuri ngrihet në Tiranë

Një ditë pas ngritjes së flamurit të Shqipërisë përkrah 27 flamujve të vendeve anëtare në Bruksel, në selinë qendrore të NATO-s, ceremonia do të transferohet sot në kryeqytetin shqiptar. Zyra e shtypit e Këshillit të Ministrave bëri të ditur dje se sot në orën 11.00 kryeminsitri Berisha do të marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit tonë kombëtar në kryeministri. Në përfundim të kësaj ceremonie, do të zhvillohet mbledhja e ardhshme e Këshillit të Ministrave, e cila është e para që pas anëtarësimit të Shqipërisë me të drejta të plota në Traktatin e Atlantikut të Veriut.

“NATO, bekim i reformave”

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi tha dje në Vlorë se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO bekoi reformat e ndërmarra nga qeveria. “Sot, në Bruksel, Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit shqiptar. Me anëtarësimin në NATO, ne morëm bekimin e reformave tona. Kjo fitore historike, një nga dy objektivat e qeverisjes demokratike, u arrit duke luftuar korrupsionin, krimin e organizuar, evazionin fiskal”, u shpreh Patozi. Sipas tij opozita përpiqet të minimizojë fitoren e madhe historike të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ndërkohë që kontributi i saj në këtë drejtim është i papërfillshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›