NATO, Majko: Firma i takonte PD-së
Aristir Lumezi
Deputeti socialist, ish-ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, është shprehur se firmosja e anëtarësimit në NATO i takonte PD-së. Këtë deklaratë Majko e bëri gjatë emisionit “Zonë e ndaluar” të gazetarit Andi Bushati në TV Klan. Duke folur për historinë e përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësim në NATO që prej 1992, Majko u shpreh se vetë prejardhja e Partisë Demokratike, por dhe përpjekjet e nisura prej saj që në vitet e para të pluralizmit, legjitimojnë firmosjen finale të dokumentit të anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën Euroatlantike. Majko duke u treguar realist në zhvillimet politike dhe historike në vend, kërkon që gjërat të shihen ashtu siç janë, duke larguar dhe ndjenjat e xhelozisë që mund të ekzistojnë mes socialistëve. “Mendoj se në planin historik PD-së i takonte të ishte firmonjëse e integrimit të Shqipërisë në NATO. Jo thjesht se ata e nisën në 1992, sepse dikush në një pozicion presidenti bëri kërkesën politike për t’u integruar në NATO, por mendoj se pa asnjë ndjenjë xhelozie, ata përfaqësojnë një shtresë, e cila në vokacionin historik, iu takonte të ishin në Samitin ku Shqipëria do pranohej në NATO dhe këtë duhet ta pranojmë me zemër të pastër ne të majtët dhe atyre u takonte ta hidhnin firmën mbase më shumë se ne të majtët”, tha Majko. Ish-ministri socialist i Mbrojtjes u shpreh gjatë emisionit “Zonë e ndaluar”, se gjatë qeverisjes së parë të saj, 1992-1996, Partia Demokratike ka luajtur një rol të rëndësishëm protagonist me aleatët tanë e kryesisht me SHBA, veçanërisht me rritjen e besimit të tyre ndaj një aleati të ri në Ballkan. “Duhet të pranojmë që deri 1996, PD-ja ka qenë protagoniste qoftë me NATO-n, qoftë me aleatin tonë strategjik SHBA, dhe këtu nuk mund të le pa përmendur emrin e të ndjerit Safet Zhulali, një nga ministrat e Mbrojtjes më protagonistë për këtë histori, si përsa i përket reformës, por sidomos çështjes së konfidencës, konfidencës me aleatët tanë strategjikë”, u shpreh Majko. Duke risjellë në vëmendje ambientin politik në të cilën ndodhej Partia Socialiste në fillimet e pluralizmit në vitin 1992 dhe diskutimet për anëtarësimin në NATO, Majko shprehet se në atë periudhë PS-ja ishte e tërhequr dhe e papozicionuar për këtë anëtarësim. “Mendoj se pas vitit 1992 në PS ekzistonte një ambient asnjanës për çështjen e integrimit të vendit në NATO. Mendoj se duke e thënë këtë, nuk po karakterizoj diçka negative, por po pohoj diçka që ka të bëjë me vërtetësinë. Pra, PS-ja ishte shndërruar nga një parti komuniste me një ekip intelektualësh, në Parti Socialiste, megjithatë ambienti ishte i një natyre të tillë, që duhet pohuar kështu siç ishte”, tha Majko. Ish-ministri socialist i Mbrojtjes ka treguar dhe detaje të panjohura më parë gjatë kohës që ai ishte në detyrë, të cilat tregojnë edhe shkallën e lartë të besimit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin krijuar ndaj aleatit më të ri në Ballkan, Shqipërisë. “Në një nga takimet e NATO-s në Bruksel, Xhorxh Robertson, më tha se ç’kishim bërë me Ramsfeldin?! Ai më tregoi se në një takim në Bruksel, kur diskutohej çështja e qirasë dhe qendrës së NATO-s në atë kohë dhe sa kishin filluar ndarjet “Europa e re”, “Europa e vjetër”, në një moment Ramsfeld kishte hedhur në tavolinë propozimin se pse duhet të paguajmë kaq shumë qira për qendrën e NATO-s në Bruksel dhe pse të mos e çojmë atë në Tiranë. Boll edhe kaq kjo kishte qenë një bombë në tavolinat e ministrave të Mbrojtjes, por që në vetvete tregonte jo më shumë faktin se qendra e NATO-s do të transferohej vërtet në Tiranë, por tregonte nivelin e konfidencës që ishte krijuar mes politikës shqiptare dhe aleatëve tanë strategjikë”, u shpreh Majko, duke vlerësuar në këtë mënyrë lidhjet dhe besimin e madh që Amerika kishte tashmë tek vendi ynë. Ish-ministri socialist i Mbrojtjes, është politikani që ka pasur më shumë kontakte me strukturat e NATO-s edhe në postin e kryeministrit, për shkak se ishte në krye të ekzekutivit shqiptar gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
Kundërshtitë
Majko tregoi gjatë emisionit edhe kontradiktën që ekzistonte tek Berisha në momente të caktuara për NATO-n. Sipas tij, edhe pse Berisha ishte përkrahës i fuqishëm pro NATO-s, ai gjatë krizës së ’97-ës ishte kundër ardhjes së trupave të Aleancës në Shqipëri. “Në Presidencë, kur është diskutuar për ardhjen e trupave të huaja në Shqipëri, Partia Socialiste kërkonte që të vinin trupat e NATO-s, ndërsa PD-ja kërkonte që të vinin trupat e BE-së”, tha Majko.