E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karamanlis, vizitë dy ditore në Shqipëri

 

Kryeministri i Greqisë Kostas Karmanlis do të vizitojë për herë  të parë Shqipërinë që nga viti 1991, kur Micotaqis u takua me krerët e lartë të shtetit në Tiranë. Lajmin e bëri të ditur dje zyra e kryeministrit grek, ku sipas saj, Kostas Karamanlis do të jetë në Tiranë në datat 26-27 prill. Madje kjo vizitë vjen menjëherë pas dy vizitave që ai do të kryejë në Qipro (22-23 prill) dhe në samitin e Sofjes për çështjen e “Gazit natyror për Evropën, siguria dhe bashkëpunimi” në datat 24-25 prill. Kjo vizitë e kreut të ekzekutivit grek në vendin tonë bëhet në një moment kur Shqipëria sapo është anëtarësuar me të drejta të plota në NATO. Që nga 4 prilli për Greqinë, Shqipëria është partneri më i afërt strategjik në rajonin e nxehtë të Europës jug-lindore. Për herë të fundit një kryeministër grek ka vizituar Shqipërinë 18 vjet më parë. Në 13 janar 1991 ish-kryeministri, Kostandionos Micotaqis vizitoi për herë të parë Tiranën në nivelin më të lartë duke shënuar dhe fillimin e marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve fqinje pas shembjes së komunizmit në vendin tonë. Gjatë dy viteve të fundit takimet e krerëve të lartë të dy shteteve kanë qenë të shumta. Kështu pak muaj pas marrjes së postit të Presidentit, Bamir Topi udhëtoi në nëntor të vitit 2007 në Greqi ku u takua me homologun e tij Karolos Papulias dhe kryeministrin Karamanlis. Klima e mirë e marrëdhënieve mes dy vendeve u vu re edhe muajt e fundit kur në një periudhë shumë të shkurtër Athina zyrtare ratifikoi protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO si dhe MSA-në, ndërkohë që nga ana tjetër Tirana ra dakord për një marrëveshje për ngritjen e dy varrezave në Këlcyrë dhe Bularat. Pak ditë më pas, pikërisht në 9 shkurt në Tiranë mbërriti ministrja e jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis, e cila në cilësinë e kryetares së radhës së OSBE-së, vlerësoi konsensusin politik në vend, si dhe bëri thirrje për vazhdimin e reformës së pronësisë, zgjedhjeve dhe luftën kundër korrupsionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›