E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: NATO sfidë për standarde, jo për fotografi e festa

 

Kryetari i LSI-së zhvilloi dje një bashkëbisedim me të rinjtë e Universitetit Evropian të Tiranës, ku u ndal në integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike. Përsa i përket integrimit në NATO, Meta shprehu kënaqësinë për këtë ngjarje historike për Shqipërinë, por kritikoi faktin se për këtë anëtarësim që i përket të gjithë shqiptarëve, opozitës dhe maxhorancës, festimet ishin të ndara, pasi u bënë dy mitingje të ndryshme. Në këtë drejtim, kreu i LSI-së shprehu shqetësimin se çështja e integrimit është konsideruar dhe konsiderohet nga politika si një sfidë për të marrë merita, dhe jo si një detyrim që Shqipëria të arrijë standardet dhe që këtë ta ndiejë çdo familje shqiptare. “Kam një shqetësim të madh, që shpesh çështja e integrimit konsiderohet dhe është konsideruar nga politika si një sfidë për të bërë fotografi, për të bërë festa, për të marrë merita secili për vete dhe nuk është konceptuar si një detyrim, si një mundësi, si një sfidë, që Shqipëria të arrijë standarde më të larta dhe që çdo shqiptar këtë gjë ta ndiejë në familjen e tij, në tavolinën e tij, në xhepin e tij dhe në klimën shoqërore”, tha Meta, duke theksuar rëndësinë e anëtarësimit në NATO, pasi kjo do të thotë më shumë liri, më shumë siguri, më pak rreziqe nga jashtë, më shumë besim për investitorët e huaj për të investuar në Shqipëri. Kreu i LSI-së, Meta, ftoi të rinjtë të angazhohen në politikë, të marrin më shumë përgjegjësi dhe të bashkohen, duke qenë se kështu ata do të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe do të përmbushin aspiratat e tyre për më shumë punësim. Kreu i LSI-së theksoi faktin se, tashmë është Koha për Veprim për të rinjtë shqiptarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›