E Diel, 1 Nëntor 2026

Brukseli: Heqja e vizave me Shqipërinë, brenda 2009-s

Ndizet drita jeshile në Luksemburg. Komisioni Evropian konfirmoi marrjen e vendimit përfundimtar për heqjen e vizave deri në fund të muajit korrik. Vlerësim për reformat e kabinetit “Berisha”. Në pikëpyetje nga vendet e Ballkanit Perëndimor vetëm Bosnje-Hercegovina, e cila po vuan probleme destabilizimi, për shkak të përplasjeve mes etnisë serbe dhe asaj boshnjake.

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë shumë pranë liberalizimit të vizave me vendet e Bashkimit Evropian. BE-ja ka ripërsëritur dje në Luksemburg se në parim është e gatshme që duke filluar nga viti i ardhshëm për qytetarët e vendeve të Ballkanit të hiqen vizat. Në këtë kontekst, BE-ja ka rikonfirmuar dje, gatishmërinë për të hequr vizat me Shqipërinë. Këshilli i Bashkimit Evropian, ka vlerësuar dje gjithashtu, progresin e arritur nga Shqipëria, ndërsa ka miratuar një deklaratë për heqjen e vizave me Ballkanin perëndimor dhe Shqipërinë. Ndërkohë, nga ana e tij, Komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn ka deklaruar dje në përfundim të ministerialit të ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së mbajtur në Luksemburg se Komisioni Evropian do të paraqesë propozimet konkrete përpara pushimeve të verës ose thënë ndryshe në fund të muajit korrik. Ministrat e Jashtëm të unionit nga ana e tyre kanë rënë dakord që të inkurajojnë KE në këtë plan për liberalizimin e regjimit të vizave me vendet e këtij rajonit në përputhje edhe me përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga Brukseli. Në rastin më të mirë ky proces pritet që të marrë udhë brenda këtij viti. Vendet që përfshihen në këtë proces janë Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Pas deklaratës së djeshme zyrtare të Komisionit Evropian, mësohet se s’ka pengesa të themelta për marrjen e vendimit pozitiv për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe pse në pikëpyetje mbetet vetëm Bosnje-Hercegovina, e cila po vuan probleme destabilizimi, për shkak të përplasjeve mes etnisë serbe dhe asaj boshnjake. Objekt i diskutimit të BE-së, në minsiterialin e Luksemburgut, është edhe përpjekja për të ndërmjetësuar në mosmarrëveshjen midis Kroacisë dhe të Sllovenisë për kufirin. Ministrat e Jashtëm të 27 vendeve të BE-së janë mbledhur dje në Luksemburg, ndër shumë çështje të tjera të diskutueshme, ka qenë edhe mbi afrimin e Serbisë me BE-në si dhe mbi heqjen e detyrimit për vizë për një sërë shtetesh pasuese të ish-Jugosllavisë. Holanda, është kundërshtarja kryesore e zbatimit të marrëveshjes mes BE-së me Serbinë të nënshkruar në prill 2008, dhe thekson se do të votojë pro vetëm në rast se kryeprokurori i Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, Serge Brammertz, i cili do të raportojë në këtë takim, do të dëshmojë se Serbia kooperon pa kufizime me këtë gjykatë. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›